Stoltenberg: Maqedonia e Veriut anëtare e NATO-s brenda dhjetorit

AKTUALITET


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar këtë të martë se Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e plotë  e aleancës deri në fund të vitit 2019. Gjatë një konference për shtyp, Stoltenberg tha se ratifikimi i protokollit të pranimit për Maqedoninë e Veriut do të jetë mbyllur deri në dhjetor, ndërsa anëtarësimi pritet të miratohet në Samitin e Londrës.

“Nuk varet nga ne sa shpejt do të ratifikohen, por do të ishte shumë mirë nëse mund të përfundojnë deri në dhjetor kur liderët të takohen në Londër. Nëse jo atëherë, pres që kjo të ndodhë shumë shpejt më pas,” tha Stoltenberg.


Stoltenberg theksoi se Maqedonia Veriore përmbush të gjitha standardet për anëtarësimin në NATO. Sipas tij, anëtarësimi i Maqedonisë Veriore në NATO është sinjal se politika e “dyerve të hapura” po funksionon me sukses.

“Zgjerimi i NATO-s është një histori e madhe suksesi që ndihmon përhapjen e prosperitetit, stabilitetit dhe demokracisë në Evropë”, tha Stoltenberg. Gjatë takimit të NATO-s në Bruksel, të martën dhe të mërkurën, ministrat e alenancës pritet të diskutojnë rreth tensionit në rritje në Lindjen e Mesme dhe problemeve me armët bërthamore me Rusinë.




Skip to toolbar