Avokati Romeo Kara thotë se ish kryeministri Sali Berisha është i humbur në çështjen e dosjes “Partizani”.
Në një intervistë për ABC News, Kara u shpreh se nuk ka zgjidhje për Berishën nga ana juridike, dhe se pozita e tij do të rëndohet.
Sipas tij, Berisha nuk paraqitet para gjykatës, pasi kërkon t’i gjykojë vetë vendimet e gjyqësorit.
“Tani, pikëpamja juridike është e vështirë që të ndahet nga edhe nga qëndrime politike, të cilat janë vënë në funksion të ngërçit juridik që është vetë Berisha, jo institucioni. Beridsha po kërkon në mënyrë absurde të gjykojë veten dhe të gjykojë ai vendimet e gjykatës dhe vendos ai, sipas tij, nëse ky vendim është i drejtë apo jo dhe është për t’u zbatuar apo jo. Pra, ai ka përpara një kod, preocedurë penale për të cilën ka votuar edhe vetë, ku parashikohen të gjitha hapat për ankimimin e tij nëse ai ka një rezervë në lidhje me këtë vendim gjykate.
Unë mendoj që edhe shoqërimi me forcë i tij mund të bëhet, pa marrë miratimin e parlamentit, por mund të kalohet pastaj drejt autorizimit nga parlamenti, t’i hiqet imuniteti, të autorizohet parlamenti për të miratuar arrestimin e tij, ose arresti në shtëpi.
Unë mendoj që para vitit të ri, ne do të jemi në përfundim të këtyre hapave, dhe pikërisht që parlamenti të mos mblidhet, pra, reagimi që duhet të bënte sot, duke shkuar, duke respektuar ligjin për të treguar që është burrë shteti, që repsekton ndarjen e pushteteve dhe jo vetëm në këtë sistem që jemi ne, demokraci, por edhe në sisteme të tjera, kur ligësia apo shkelja zbulohet, ajo dënohet. Berisha e di, i është bërë publike gjithë veprimtaria e tij, të paktën disa nga çështjet.
Berisha me këtë çështje është i humbur, unë e shoh të humbur. E kam lexuar dosjen me shumë kujdes. Janë treguar të kursyer kur e kanë akuzuar vetëm me dy klauzola, pra, dy shkelje penale, ka edhe të tjera atje, ka falsifikime. Akuza mund të rëndohet. Ai nuk sheh zgjidhje nga ana juridike, ai vetë, fëmijët e tij që i ka juristë, shohin që nuk ka zgjidhje juridike, shohin që pozita e tij do të rëndohet. Këtë e tregoi edhe ortsku i dhëndrit të tij të cilit i kishte ikur goja sot. Unë mendoj se ai nuk ka zgjidhje tjetër”, theksoi ai.