Dosja “tërmeti”, Olsian Çela u kërkon prokurorëve hetim të shpejtë

AKTUALITET


Pak ditë pasi u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm, Olsian Çela zhvilloi një takim me prokurorët e Prokurorisë së Tiranës, ku të pranishëm ishin dhe drejtues të këtij institucioni. Sipas një njoftimi të bërë nga  Prokuroria e Përgjithshme, Çela mësohet të ketë diskutuar për disa tema që lidhen me funksionimin e policisë gjyqësore, organizimin e punës pas rritjes së numrit të prokurorëve etj.

“Në takim u diskutuan probleme që lidhen me funksionimin e policisë gjyqësore, vleresimin e performancës së saj, organizimin e punës pas rritjes së numrit të prokurorëve në këtë prokurori, çështje që lidhen me zbatimin e ligjit për prokurorinë, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorëve, ndërtimin e një sistemi efikas të monitorimit të zbatimit të ligjit në këto aspekte, si dhe u trajtuan  çështje  që lidhen me zbatimin e ligjit, ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Gjithashtu, sipas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme, Olsian Çela i kushtoi vëmendje të veçantë punës për hetimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Sipas njoftimit, mësohet se kreu i akuzës u dha mbështetjen prokurorëve për hetimin e shpejtë dhe të plotë të rasteve dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale abuzuesit me detyrën.

“Në fokus  të veçantë të takimit ishte mbështetja që Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela  i ofroi drejtuesve dhe prokurorëve të kësaj prokurorie  për procedimet që lidhen me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i datës 26 nëntor, përmes sigurimit të asistencës teknike dhe ekspertizës që do të ndihmojnë  në  hetimin e shpejtë dhe të plotë të rasteve. Ai inkurajoi prokurorët të kryejnë hetime gjithëpërfshirëse, për të individualizuar autorët e veprave penale dhe për t’i vënë ata para përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.

Takimi me drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës, i Olsian Çelës, dhe kërkesa për hetimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, vjen fill pas takimit që kreu i akuzës zhvilloi me ambasadorin e BE dhe të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë. Gjatë takimit, Luigi Soreca dhe Leyla Moses-Ones i shprehën mbështetjen Prokurorit të ri të Përgjithshëm edhe për hetimin e përgjegjësve për dëmet që shkaktoi tërmeti. /Realstory.al/



Skip to toolbar