Akuza për ‘pastrimin e parave’ në ngarkim të Emiljano Shullazit, prej të martës është pushuar. Bëhet fjalë për akuzën e ngritur nga Prokuroria e Tiranës, në lidhje me çështjen e hotel Vollgës në Durrës. Për këtë çështje, Shullazi akuzohej se nëpërmjet kërcënimeve i kishte marrë biznesmenit Ylvi Beqja shuma të mëdha parash, në këmbim që biznesmeni të përvetësonte këtë pronë.
Gjykata, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, ka pushuar akuzat, ndaj Shullazit dhe ndaj biznesmenit Beqja, që ishte me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Pushimi i akuzave ka ardhur pasi sipas organeve hetimore, nuk ka pasur prova të mjaftueshme për akuzat e ngritura.
Prokuroria ka pranuar se ka qenë vetë biznesmeni Ylvi Beqja, që mbronte interesat e “Saudi Brothers”, që ka kërkuar ndihmën e Shullazit për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Në argumentin e Prokurorisë, mësohet se Ylvi Beqja ka pasur disa procese gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në Durrës, pasi për godinën kishte pretendime dhe një palë tjetër.
Bëhet fjalë për shtetasin Zamir Hasa. Ndërkohë, po sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjatë vitit 2014 biznesmeni Ylvi Beqja ka takuar Shullazin duke i kërkuar ndihmë për regjistrimin e ish-hteol Vollgës.
Ndërkohë, Shullazi dhe grupi i tij u dënuan me një total prej 55 vjetësh dënim, ndërsa veç çështjes së ish-hotel “Vollgës” në Durrës, ata akuzohen dhe për vepra të tjera penale. Ndërkohë, janë pushuar akuzat dhe për tre gjyqtarë të akuzuar për “Shpërdorim detyre”.