Vendimi i Gjykatës: Kajmaku i pafajshëm

AKTUALITET


Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, që ka mbajtur emrin Jorgo Toto gjatë periudhës që ka qenë emigrant në Greqi, ka fituar në 12 shtator pafajësinë nga Gjykata e Janinës për akuzën e “falsifikimit të parave”.  “Gjykata e Janinës e mbledhur në 12 shtator 2019 pas ndërprerjes së seancës së datës 11 shtator. Të gjykohet i akuzuari i paraqitur (nëpërmjet avokatit të tij me prokurë, Jiorgo Toto, Thanas ose Thanasi, i Paraskevi, i lindur në 1971, Tiranë). Person i cili ka qenë në kërkim sipas vendimit nr. 79/2003 i gjykatës së Artës. Vendosim që i akuzuari të shpallet i pafajshëm për akuzën e falsifikimit të kartëmonedhave, për të cilat është akuzuar në Artë në 13.01.2003” mbyllet vendimi i gjykatës, publikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Ndërkohë, në këto kushte, Jorgo Toto apo Agim Kajmaku, shpallet i pafajshëm nga akuzat në shtetin grek. Megjithatë, Partia Demokratike, nëpërmjet Gazmend Bardhit shprehet se vendimi i Gjykatës Janinës ka vërtetuar akuzat e saj se “Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, ishte në kërkim nga drejtësia greke”.

“Gjykata e Janinës konfirmoi të gjithë denoncimet e Partisë Demokratike se Agim Kajmaku ishte në kërkim nga drejtësia greke, pasi është arrestuar në Janar 2003 me emrin Jorgo Toto dhe ai e kishte fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit. Seancat gjyqësore për Jorgo Toton e Bashkisë së Vorës, të zhvilluara në Janinë për 4 ditë, u japin fund zvarritjeve të prokurorisë për zbulimin e identitetit të kandidatit të Edi Ramës”, shkruan Gazmend Bardhi. Më tej, numri dy i PD-së, shprehet se Agim Kajmaku tashmë ka punë me drejtësinë shqiptare. Sipas Bardhit, ky vendim i gjykatës greke, konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, ka gënjyer në Formularin e Dekriminalizimit.


 “Megjithëse i dha kohë të sigurojë që nuk futet në burg në Greqi duke mbyllur çëshjtjen atje, Agim Kajmaku ka punë me ligjin shqiptar. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka qenë me proces penal të hapur në Greqi dhe me urdhër arresti në fuqi, ashtu sikurse Partia Demokratike denoncoi. Vendimi konfirmon se Agim Kajmakut, alias Jorgo Toto, nuk i lejohej nga ligji i dekriminalizimit të kandidonte për kryetar bashkie. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku, alias Jorgo Toto ka gënjyer në Formularin e Dekriminalzimit, duke kryer veprën penale të fallsifikimit të dokumenteve. Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin në Greqi me emrin Jorgo Toto. Për këtë duhet të shkarkohet nga detyra dhe t’i vihen menjeherë prangat për shkeljen flagrante të ligjit të dekriminalizimit dhe mashtrimin e qytetarëve shqiptarë”, përfundon Bardhi.




Skip to toolbar