Akuzat ndaj Trump pritet t’i shkojnë Senatit në fillim të javës tjetër

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët do të dërgojë akuzat formale kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Senat në fillim të javës së ardhshme, ka deklaruar Nancy Pelosi të premten. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Pelosi ka qenë e angazhuar në diskutime për tri javë me liderin e shumicës në Senat, Mitch McConnell, lidhur me gjykimin e Trumpit në Senat.

Demokratët kanë kërkuar përfshirjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe provave për presionin e presidentit Trump ndaj Ukrainës rreth hetimeve ndaj presidentit ish-zëvendëspresidentit Joe Biden. McConell nuk e mbështeti këtë ide duke theksuar se ka mjaftueshëm vota të republikanëve për të filluar gjykimin pa pasur nevojë të dëgjohen dëshmitarë të tjera, duke përfshirë këshilltarin e sigurisë kombëtare të Trumpit, John Bolton.

Demokratët janë duke tentuar të bindin disa republikanë të modëruar për të lejuar dëshmitarë të rinj. Senati pritet të gjykojë Trumpin para fillimit të fushatës presidenciale. Presidenti Donald Trump, akuzohet për shpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Hetimi ndaj tij filloi pasi një informator i paidentifikuar e informoi Kongresin për një telefonatë, midis presidentit Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymir Zelenksyit, e zhvilluar në korrik të këtij viti. Sipas tij, gjatë bisedës, Trump i kishte kërkuar Zelenskyit që Ukraina të hetojë për korrupsion, rivalin e tij politik, Joe Biden dhe djalin e tij Hunter.

Joe Biden është ndër pretendentët kryesorë, për të fituar nominimin e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020. Trump gjithashtu akuzohet se ka kushtëzuar një ndihmë financiare të SHBA-së për Ukrainën, në këmbim të hetimeve të kërkuara./REL/

Vendimi i Gjykatës: Kajmaku i pafajshëm

Kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, që ka mbajtur emrin Jorgo Toto gjatë periudhës që ka qenë emigrant në Greqi, ka fituar në 12 shtator pafajësinë nga Gjykata e Janinës për akuzën e “falsifikimit të parave”.  “Gjykata e Janinës e mbledhur në 12 shtator 2019 pas ndërprerjes së seancës së datës 11 shtator. Të gjykohet i akuzuari i paraqitur (nëpërmjet avokatit të tij me prokurë, Jiorgo Toto, Thanas ose Thanasi, i Paraskevi, i lindur në 1971, Tiranë). Person i cili ka qenë në kërkim sipas vendimit nr. 79/2003 i gjykatës së Artës. Vendosim që i akuzuari të shpallet i pafajshëm për akuzën e falsifikimit të kartëmonedhave, për të cilat është akuzuar në Artë në 13.01.2003” mbyllet vendimi i gjykatës, publikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi. Ndërkohë, në këto kushte, Jorgo Toto apo Agim Kajmaku, shpallet i pafajshëm nga akuzat në shtetin grek. Megjithatë, Partia Demokratike, nëpërmjet Gazmend Bardhit shprehet se vendimi i Gjykatës Janinës ka vërtetuar akuzat e saj se “Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, ishte në kërkim nga drejtësia greke”.

“Gjykata e Janinës konfirmoi të gjithë denoncimet e Partisë Demokratike se Agim Kajmaku ishte në kërkim nga drejtësia greke, pasi është arrestuar në Janar 2003 me emrin Jorgo Toto dhe ai e kishte fshehur këtë fakt në formularin e dekriminalizimit. Seancat gjyqësore për Jorgo Toton e Bashkisë së Vorës, të zhvilluara në Janinë për 4 ditë, u japin fund zvarritjeve të prokurorisë për zbulimin e identitetit të kandidatit të Edi Ramës”, shkruan Gazmend Bardhi. Më tej, numri dy i PD-së, shprehet se Agim Kajmaku tashmë ka punë me drejtësinë shqiptare. Sipas Bardhit, ky vendim i gjykatës greke, konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, ka gënjyer në Formularin e Dekriminalizimit.

 “Megjithëse i dha kohë të sigurojë që nuk futet në burg në Greqi duke mbyllur çëshjtjen atje, Agim Kajmaku ka punë me ligjin shqiptar. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka qenë me proces penal të hapur në Greqi dhe me urdhër arresti në fuqi, ashtu sikurse Partia Demokratike denoncoi. Vendimi konfirmon se Agim Kajmakut, alias Jorgo Toto, nuk i lejohej nga ligji i dekriminalizimit të kandidonte për kryetar bashkie. Vendimi konfirmon se Agim Kajmaku, alias Jorgo Toto ka gënjyer në Formularin e Dekriminalzimit, duke kryer veprën penale të fallsifikimit të dokumenteve. Agim Kajmaku ka fshehur arrestimin në Greqi me emrin Jorgo Toto. Për këtë duhet të shkarkohet nga detyra dhe t’i vihen menjeherë prangat për shkeljen flagrante të ligjit të dekriminalizimit dhe mashtrimin e qytetarëve shqiptarë”, përfundon Bardhi.

Akuzat e PD, Babani: Jam personi më transparent në botë

Pas kërkesës së bërë nga Partia Demokratike, që i kërkonte Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e figurës së kryetarit të bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani, ka ardhur dhe reagimi i kryebashkiakut socialist. Në një prononcim për Report Tv, Babani është shprehur se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar. Ai ka treguar fillimet e periudhës së emigrimit, nga puna në fabrikën e peshkut deri te puna në hotel, duke u shprehur se asnjëherë nuk është ndaluar nga policia apo të ketë ndërruar emrin.

“Kam luftuar gjithë jetën të jem krenar, të bëj veten e familjen dhe vendin tim. Jam i gatshëm të përballem me këdo, është turp i atyre që hedhin këtë lloj ideje ndaj meje pa asnjë motiv. Unë kam ikur më 6 mars 1991 në Itali, fati na çoi në Siçili ku kam jetuar në një kamp dy muaj deri sa u shpërndamë dhe në fund të vitit 1991 deri në vitin 1994 kam punuar në një fabrikë peshku. Pastaj kam punuar në një hotel deri në `95. Me këtë firmën që kam punuar, kemi bërë një shoqëri të përbashkët në Shqipëri, ndërmarrja dhe sot ka marrë përmasa të mëdha, eksportojmë prodhimet tona në të gjithë botën. Asnjëherë në jetëm time nuk kam pasur ndonjë ndalesë nga policia, nuk kam ndërruar as emrin”, ka thënë Babani.

Më tej, Mark Babani ka sqaruar edhe një detaj tjetër, atë të mbiemrit, nga Babani në Babaj. Sipas tij, kjo ngatërresë është bërë në gjendjen civile, ndërsa ai shprehet se është i datëlindjes 24 dhjetor 1966, por është rregjistruar në gjendje civile në 8 janar të vitit 1967. “Kam lindur më 24 dhjetor 1966 dhe jam regjistruar më 8 janar 1967. Në diplomë e kam në `66. Kam ardhur në Shqipëri në vitin 1993 dhe kemi marrë pasaportat e para, me mbiemrin Babaj, por në shkollë e kam pasur Babani. Dhe unë kam marrë pasaportën Mark Babani 8 janar 1967. Nuk kam pasur në jetën time të bëj me asgjë, kam qenë me leje qëndrimi deri në vitin 2003. Në këtë vit nuk kisha mundësi të ikja se po ndërtoja fabrikën e re. Unë kam hyrë e kam dalë në Itali dhe Evropë, dhe në të gjithë botën”, shprehet Babani.

Më tej, ai ka sqaruar edhe rastin e Maqedonisë së Veriut, ku përsëri ka sqaruar se ka shkuar disa herë në këtë shtet. “Maqedonia s`ka lidhje absolutisht, kam qenë 4 herë. Një herë për punët e mia në vitet e para. Vjet në Maqedoni kisha ftesë të ministrisë për investim atje, menduam të zgjeronim aktivitetin në këtë vend. Asnjë lloj problemi, janë trillime. Turp të kenë ata që bëjnë trillime për figurën time. Figura ime është e pastër, këto që po them këtu do t`i them gjithkund, pjesa ime është e verifikueshme se unë jam person që lëviz, jam personi më transparent që mund të ketë bota”, ka thënë Mark Babani.

“Dibra”, s’ka korrupsion zgjedhor

Brenda datës 11 shtator, Rifat Kojku dhe Belina Zeneli, dy prokurorët e Prokurorisë së Dibrës që kanë në dorë dosjen e zgjedhjeve në këtë rreth, duhet të komunikojnë akuzat për të pandehurit. Data 11 shtator shënon dhe 3 vjetorin e regjistrimit të kësaj dosje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, çka do të thotë se para kësaj date prokurorët e Dibrës duhet të komunikojnë akuzat.

Sipas një lajmi të publikuar nga Shqiptarja.com, mësohet se të pandehur duhet të merren personat përgjegjës që janë prëfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ata janë Arben Keshi, Robert Aga, Drini Gjeçi, Bekim Krashi dhe Pjerin Ndreu. Të gjithë këta persona janë zbuluar në bisedat e përgjuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në zgjedhjet e pjesshme vendore të bashkisë së Dibrës në vitin 2016.

Roli i Ndreut, që tashmë është zgjedhur kryebashkiak i Lezhës, mbetet për t`u vlerësuar nga dy prokurorët që kanë në dorë dosjen. Gjithashtu, për shkak të përfundimit të afateve të hetimeve, mësohet se biznesmeni Ymer Lala nuk do të jetë i akuzuar, pasi do të duhej që akuza ndaj tij të ishte ngritur në një afat dyvjeçar nga momenti i regjistrimit të dosjes në prokurori.

Kështu, akuza e “Korrupsionit zgjedhor”, ka rënë. Ndërkohë, akuza e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, do të jenë dy akuzat ku pritet të fokusohen hetimet e prokurorisë.

Dosja “Vollga”, pushohen akuzat për Shullazin

Akuza për ‘pastrimin e parave’ në ngarkim të Emiljano Shullazit, prej të martës është pushuar. Bëhet fjalë për akuzën e ngritur nga Prokuroria e Tiranës, në lidhje me çështjen e hotel Vollgës në Durrës. Për këtë çështje, Shullazi akuzohej se nëpërmjet kërcënimeve i kishte marrë biznesmenit Ylvi Beqja shuma të mëdha parash, në këmbim që biznesmeni të përvetësonte këtë pronë.

Gjykata, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, ka pushuar akuzat, ndaj Shullazit dhe ndaj biznesmenit Beqja, që ishte me statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Pushimi i akuzave ka ardhur pasi sipas organeve hetimore, nuk ka pasur prova të mjaftueshme për akuzat e ngritura.

Prokuroria ka pranuar se ka qenë vetë biznesmeni Ylvi Beqja, që mbronte interesat e “Saudi Brothers”, që ka kërkuar ndihmën e Shullazit për regjistrimin  e ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Në argumentin e Prokurorisë, mësohet se Ylvi Beqja ka pasur disa procese gjyqësore për regjistrimin e ish-hotel “Vollgës” në Durrës, pasi për godinën kishte pretendime dhe një palë  tjetër.

Bëhet fjalë për shtetasin Zamir Hasa. Ndërkohë, po sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjatë vitit 2014 biznesmeni Ylvi Beqja ka takuar Shullazin duke i kërkuar ndihmë për regjistrimin e ish-hteol Vollgës.

Ndërkohë, Shullazi dhe grupi i tij u dënuan me një total prej 55 vjetësh dënim, ndërsa veç çështjes së ish-hotel “Vollgës” në Durrës, ata akuzohen dhe për vepra të tjera penale. Ndërkohë, janë pushuar akuzat dhe për tre gjyqtarë të akuzuar për “Shpërdorim detyre”. 

Akuzojnë Gjonajn, por Aldo Bumçi pagoi 1158 dollarë dhomën e hotelit në SHBA kur ishte ministër

Faturat që ka paguar Ministria e Drejtësisë, për ministren Etilda Gjonaj gjatë udhëtimeve jashtë vendit, kanë shkaktuar debat dhe reagime të mëdha publike në vend ditët e fundit. PD e ka përdorur rastin për të sulmuar ministren e drejtësisë, duke kërkuar shkarkimin ose dorëheqjen e saj, ndërkohë që në krah të Gjonajt kanë dalë deputetë të opozitës parlamentare, si Rudina Hajdari apo Myslym Murrizi.

Megjithatë, portali lexo.al, ka publikuar disa fatura, ku tregohen shpenzimet e ish-ministrit të kulturës në kohën e PD, Aldo Bumçi, gjatë një udhëtimi në SHBA, ka paguar 1158 dollarë, për dy neqtë qëndrimi në hotel.

Thënë ndryshe, për një natë qëndrimi, Aldo Bumçi paguante 8 vite më parë plot 579 dollarë për të fjetur në hotel në SHBA, një shifër e përafërt kjo me ato të faturave të publikuara nga ministrja Gjonaj. E gjithë shuma është paguar vetëm për një dhomë, dhe për dy netë qëndrimi në një hotel në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rama në Kurbin: Akuzat e opozitës më bëhen shëndet, më 1 korrik dalin forca të reja

Nga Laçi ku ishte për prezantimin e kandidates së Partisë Socialiste për bashkinë e Kurbinit, Majlinda Cara, Kryeministri Edi Rama u shpreh se opozita ka frikë nga zgjedhjet. Rama tha se kjo nuk është një betejë pa kundërshtarë, por një betejë politike për të ardhmen e vendit, dhe të shkuarës që nuk pati kurajën për të dalë përballë.

Kjo betejë që nuk është pa kundërshtarë, por një betejë politike më  e qartë për të ardhmen e vendit tonë dhe të shkuar me të cilët nuk patën kurajon që të na dilnin përballë. Është një betejë mes nesh, që bëjmë sa mundemi, jo sa duam për ta çuar vendin përpara. Ata kanë frikë nga zgjedhjet prandaj bërtasin rrugëve kundër tyre, kanë frikë nga drejtësia, nga ballafaqimi demokratik dhe prandaj përbetohen se do na imponojnë një përplasje antidemokratike, vendosën të ikin nga zgjedhje, punë e tyre, por nuk vendosën asgje tjetër përveç kësaj”, tha ndër të tjera Rama.

Më tej, gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama tha se opozita ka pranuar humbjen, dhe tashmë kërkon që as Shqipëria të mos fitojë. “Opozita pengohet të hyjë në zgjedhje do të ishte antidemokratike, jo kur s’duan ata. Kanë pranuar humbjen, kanë qëllim që të mos lënë Shqipërinë të mos fitojë. Edhe në këto zgjedhje ne nuk po bëjmë fushatë për të mbështetur kandidatëve tanë. Nuk vlen shprehja, “t’i hapim rrugë budallait”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Edi Rama përsëriti dhe njëherë se kush përpiqet të prishë zgjedhjet më 30 qershor, nuk do të ketë mundësi të shkojë më në Amerikë. “Ata po përiqen të gjejnë njerëz që të shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar. Unë nuk e di se kush janë çunat këtu në Laç, që duan të mbyllin rrugën për në Itali. Një njeriu që ka frikë nga zgjedhjet, që e di se populli nuk e zgjedh, si mund t`i shkosh mbrapa?!. Në Amerikë jo vetëm nuk shkon dot vetë, por nuk shkon as familja. Pyeteni plakun për këtë, se e di ai”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama i bëri thirrje qytetarëve të Lezhës të votojnë kandidaten Majlinda Cara duke u kujtuar atyre një shprehje të ish-Kryeministrse së Anglisë, Margaret Thatcher, ndërsa atyre që nuk duan ta votojnë, u tha të mos guxojnë t`i bien murit me kukë.

“Kush do të votojë për Majlindën ta bëjë, kush do guxojë t`i bjerë murit me kokë, le ta bëjë, dhe të shohim kush do të jetë më i fortë, muri apo koka. Le ta themi, shyqyr që u erdhi mundësia të votoni për një grua, se keni votuar për burra 30 vjet. Me që është mundësia për të votuar për një grua, kujtohuni çfarë thoshte Margaret Thatcher; “nëse do për muhabet gjejë një burrë, nëse do të bësh punë gjejë një grua”. Më vjen shumë mirë që për herë të parë këtu në Kurbin shoh kaq gra dhe vajza. Burrave, si burr, si pjesë e të njëjtit komunitet, i them; burrin e fortë në shqiptarët e bëjmë kur dalim nga shtëpia, por ju e dini shumë mirë kush është kryeministri kur shkoni në shtëpi”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, gjatë fjalës së tij, ai u rikthye përsëri te situata politike në vend. Edi Rama tha se opozita shqiptare po i bën vendit atë që se ka bërë kurrë një parti politike ndaj vendit të vet në asnjë shtet të Europës. Rama tha se opozita dërgon letra dhe e-maile në mediat dhe institucionet evropiane kundër Shqipërisë.

Këto zgjedhje kanë përveç dimensionit politik, kanë dhe dimensionin patriotik. Asnjë vend në Europë nuk e ka parë këtë që po shohin shqiptarët sot. Nuk e kanë parë asnjëherë që një opozitë që kërcënon popullin e vetë. Ka pasur dhe në rajon opozita që kanë bojkotuar zgjedhjet. Por nuk e kanë parë kurrë një opozitë që kërcënon popullin e vetë, ata kanë kaq kohë që e bëjnë Shqipërinë blozë në botë, ata çojnë çdo ditë e-maile, letra në çdo zyrë në Europë. Imagjinonin të ndodhë ajo që ata kanë në kokë, dhe të shohësh se si do të thonë për Shqipërinë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Gjithashtu, kreu i Qeverisë, u bëri thirrje protestuesve të opozitës, që sipas tij nuk e duan më atë Kryeministër, të mos mendojnë si huliganë, pasi sipas Ramës, opozita politike nuk ka për t`ia dalë.

“U them atyre që protestojnë, që nuk duan qeveri, që duan që unë të iki një orë e më parë, mendoni si shqiptarë, e mos mendoni si huliganë. Shqipëria nuk mund ta marri këtë detyrë. Ata nuk kanë për t`ia dalë, ata mund të marrin më qafë disa njerëz, ti çojnë pas hekurave, e pastaj përvete shkojnë e flejnë të qetë në shtëpi. Por as të qetë nuk flenë, sepse e dinë që dita e drejtësisë po afron. Demokracia nuk shkatërrohet sepse disa parti të falimentuara nga mendja nuk marrin pjesë në zgjedhje. Ky do të jetë momenti për një ndarje me cfarë mund të bësh dhe çfarë nuk mund të bësh. Aty ku bëhet shtet nuk ka karagjozllëqe. Kur ta marin mësimin tamam, të parët që do çlirohen do jenë demokratët”, tha Rama.

Në fund, ai u shpreh se në datë 1 korrik do të nxjerrin mësim të gjithë, ndërsa pas kësaj date do të dalin forca të tjera politike. “Në datat 1 korrik do të nxjerrin mësimin të gjithë se kështu nuk vazhdohet më. Nëse do treten këta do lindin forca të tjera. Ky është një vend ku gdhihet dhe ngryset duke e ngritur e ulur kryeministrin si hajdut”, u shpreh Rama, duke e mbyllur edhe me një batutat për akuzat e opozitës për korrupsion dhe vjedhje,qysh kur jam futur në politikë kam dëgjuar të gjitha të zezat. Për sa kohë gabimet që mund të bëjë apo dhe dështimet që mund të kemi, nuk janë rezultat i qëllimit për të bërë keq, apo për të futur dorë në xhepin e njerëzve, çfarë thonë ata, mua më bëhet shëndet”, tha Kryeministri.

Thaçi nuk kursen akuzat për Berishën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka kursyer akuzat ndaj ish kryeministrit Berisha madje e ka cilësuar edhe si “gërmadhë e skenës politike”. Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj luftës në Kosovë dhe UÇK-së tha Thaçi në Opinion.

“Unë çuditëm si zoti Berisha nuk ka pasur guximin qytetar dhe as politik ta kundërshtojë opinionin e këtij projekti nga presidenti Rugova, akademiku Qosja dhe Daci. Zoti Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj luftës së Kosovës, paralele me luftën e Milloshevicit ne terren, ka qenë dhe propaganda e zotit Berisha për UÇK-në maksiste-leniniste etj. Kam shkuar në zyrën e tij pas lufte dhe kemi pasur komunikim. Kur kam qenë kryeministër, kemi pasur respekt reciprok. Tani nuk kuptoj dhe shprehem i keqardhur për gjendjen e tij emocionale, si gërmadhë e skenës politike shqiptare.” – tha Thaçi

Haradinaj ul tonet: Ramën e kam si vëlla

Pas përplasjeve në media dhe akuzave të bëra ndaj kryeministrit Rama se po bën komplot për copëtimin e Kosovës, duket se Ramush Haradinaj ka preferuar të ul gjakrat dhe të qetësojë gjendjen.

Në një deklaratë për mediat, Haradinaj tha se Ramën e ka si vëlla, por kjo nuk e pengon të thotë të vërtetën e tij.

“Kryeministri i Shqipërisë është institucion, për të cilin unë kam shumë respekt. Kryeministri Edi Rama është vëlla i imi ashtu sikurse janë krejt shqiptarët kudo që janë. Të vërtetën do ta them pa marrë parasysh kujt i pëlqen ose jo. Unë kam thënë të vërtetën për Samitin e Berlinit”.

Një ditë më parë, në konferencën me Mogherinin, Rama i quajti këto akuza si gënjeshtra dhe budallallëqe të rrezikshme.

Akuzat për ndarjen e Kosovës, Mogherini: Më shumë mençuri nga liderët

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe akuzave të Haradinaj se ekziston një plan për ndryshimin e kufijve të Kosovës, Mogherini ka thënë se roli i saj është si lehtësuese për krijimin e kushteve dhe atmosferës ku dy palët të takohen, por se çfarë vendoset mes tyre është plotësisht në dorë të Kosovës dhe Serbisë. Mogherini tha se taksa e Kosovës 100% për mallrat serbë ka sjell dhe ngërçin në dialog, ndërsa bëri thirrje për më shumë mençuri dhe zgjuarsi pasi askush nuk del i përfituar nga mungesa e dialogut.

“Dialogu ka sjellë rezultate të rëndësishme për vite me radhë si për Beogradin ashtu dhe për Prishtinën, por edhe për rajonin. Muajt e fundit kanë qenë të vështirë dhe kanë qenë të vështirë që nga momenti që mund të kishte hyrë e gjitha në një fazë negocimesh më intensive dhe objektivi jonë ka qenë dhe vazhdon të jetë, objektivi i të arriturit në një marrëveshje ligjore të dakordësuar për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Gjatë muajve të fundit vendimi i qeverisë së Kosovës 100% tarifa për mallra që vinin nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë krijuar një ambient që nuk është frytdhënës për dialogun dhe është dhe në shkelje të marrëveshjeve që ka nënshtruar Kosova.

Nga ana jonë e BE dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë kemi kërkuar të hiqen këto tarifa dhe kjo do të krijonte menjëherë kushtet që të rifillonte dialogu. Unë jam e bindur se në rast se do të hiqen këto tarifa, sonte, nesër në mëngjes unë do të bëja thirrje për një seancë të re të dialogut dhe kjo do të ishte e vështirë dhe e dhimbshme si zakonisht por ndoshta produktive. Në mungesë të këtij mjedisi unë nuk shoh që këto gjëra të rifillojnë.

Përgjegjësia është në duart e vendimmarrësve në Kosovë. Natyrisht që një mjedis ushqyes që sjell këtë gjë do të thoshte dhe pezullimin e fushatave për njohjen apo rinjohjen e Kosovës. Kjo nuk do të thotë se ne po heqim dorë nga lehtësimi i dialogut. Nuk jemi pjesë e ndonjë plani të caktuar. Roli i lehtësuesit do të thotë të krijosh kushtet, atmosferën, ambientin, mundësinë, hapësirën që të dyja palët të bëhen bashkë.

Dialogu është i tyre, nuk është i yni, nuk na përket ne. Jo vetëm që e respektojmë pozicionet dhe qëndrimet negociuese të secilës palë, por ne marrim shumë seriozisht dhe rolin tonë. Unë e marr seriozisht dhe rolin tim personal të të mos përcaktimit të përmbajtjes së marrëveshjeve të ardhshme por lejimin e asaj që do të jetë një marrëveshje ligjore dhe për normalizimin e marrëdhënies.

Ne duhet të rikrijojmë këtë hapësirë, këtë mundësi. Shpresoj të dominojë mençuria dhe zgjuarsia pasi askush nuk do të fitonte nga ky ngërç i vazhdueshëm në dialog, as Kosova, as Serbia por as pjesa tjetër e rajonit. Pajtimi dhe normalizimi, ashtu siç e ka përjetuar dhe vetë BE, është baza për begatinë ekonomike dhe integrimin, unë e di sa e rëndësishme është kjo për të gjithë qytetarët e Ballkanit. Askush nuk mund të nënvlerësojë interesin e të gjithë ne për rifillimin e këtij dialogu në mënyrë të respektuar ndaj të gjithëve.” – tha Mogherini

Skip to toolbar