Valdrin Pjetri ka qenë drejtor që në vitin 2010 kur në pushtet ishte Berisha dhe Basha si ministri i tij më i besuar. Por të premten kryetari i PD-së, Lulzim Basha akuzon kryeministrin Rama duke thënë se ishte ai që e futi Valdrin Pjetrin në zyrat e shtetit.
“Krahasuar me Edi Ramën, Valdrin Pjetri është një kriminel i rangut të tretë, një trafikant i dënuar droge që ka fshehur të kaluarën e tij.
Por është Edi Rama ai që futi në politikë dhe zyrat e shtetit dhe i bëri deputetë, kryebashkiakë e zyrtarë të lartë dhjetëra kriminelë me rekorde të tmerrshme kriminale, trafikantë, përdhunues e deri vrasës”, shkruan Basha, i cili bën thirrje për largimin e Ramës nga pushteti.
Kujtojmë se Valdrin Pjetri ka qenë Administrator i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara që në vitin 2010, kur qeveria ishte e PD-së.
Më pas, në vitin 2014-2015, Valdrin Pjetri ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Pronave në Ministrinë e Mbrojtjes. 2014-2017, Kryetar i Komisionit të Demontimit të Municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes. 2015-2018 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Minitrinë e Mbrojtjes. Janar 2018 – maj 2018 Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.
Pra, Valdrin Pjetri nuk është rastësisht në politikë, madje ai ka mbajtur poste të larta drejtuese, si në administratën e qeverisë Berisha dhe të Ramës. Por publikimi i dokumenteve për dënimin e tij nga PD, vijnë në një moment kur Selia Blu është futur dhe më thellë në krizën që krijoi vetë, duke refuzuar çdo mundësi dialogu me qeverinë, dhe humbur çdo pushtet pas zgjedhjeve të 30 qershorit.