Prokuroria i përgjigjet PD për Valdrin Pjetrin: Presim përgjigje nga Italia

AKTUALITET


Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje kërkesës së Partisë Demokratike për nisjen e verifikimin nëse kryebashkiaku i dorëhequr socialist për bashkinë e Shkodrës ka qenë apo jo i dënuar në Itali.

Në letrën dërguar PD-së, prokuroria shpjegon të gjitha hapat që ka ndërmarrë ndërkohë që njofton se procedura e verifikimit ka nisur që në datën 5 gusht menjëherë sapo ka marrë kërkesëne  depozituar nga PD.


Deri tani prokuroria ka administruar formularin e vetëdeklarimit të Valdrin Pjetri prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  dhe ka nisur procesin e verifikimit të plotë e të gjithanshëm brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

“Më datë 06.08.2019, i është dërguar shkresa për verifikim Zyrës së Gjendjes Gjyqësore, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Drejtorisë së Policisë së Shtetit, organeve të prokurorisë (prokurorive pranë gjykatës së shkallës së parë, prokurorive pranë gjykatës së apelit, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda). Më datë 09.08.2019, shtetasit Valdrin Pjetri i është kërkuar të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore.

Për sa i përket proçedurës së verifikimit jashtë territorit të Shqipërisë, më datë 06.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për verifikim të mëtejshëm nga autoritetet e drejtësisë italiane, duke iu kërkuar këtyre të fundit vënia në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të shtetasit Valdrin Pjetri.

Në vijim të kësaj proçedure, më datë 14.08.2019, Prokuroria e Përgjithshme ka përcjellë pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ndihmë juridike për subjektin Valdrin Pjetri, duke bashkëngjitur të dhënat kriminale të dënimit penal në shtetin italian, të vëna në dispozicion me shkresën tuaj nr. 121/2 prot., datë 13 gusht 2019”, njofton prokuroria e përgjithshme.

Në përfundon ajo sqaron PD-në se do të ketë rezultatet e verifikimit menjëherë sapo të marrë përgjigje edhe nga shteti italian.

Partia Demokratike akuzon se Valdrin Pjetri ka fshehur dënimin në Itali si dhe hodhi akuza ndaj prokurorisë se po shkel ligjin pasi nuk po bën verifikime. Përgjigja e së premtes e prokurorisë hedh poshtë akuzat e PD-së drejtuar asaj, duke bërë të ditur se verifikimet kanë nisur menjëherë, në respekt të afateve ligjore.




Skip to toolbar