Rama-Bashës: Valdrini nuk është kriminel. Të verifikohen vetëdeklarimet e të gjithë politikanëve

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka propozuar nisjen e menjëhershme të verifikimit të të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve dhe zyrtarëve të shtetit që kanë firmosur dhe dënim penal për të gjithë ata që kanë bërë deklarim të rremë. Përmes një reagimi të premten kryeministri i është përgjigjur akuave të Bashës ndaj Valdrin Pjetrit të cilin e cilësoi kriminel. Por sipas Ramës Valdrin Pjetri nuk është kriminel pasi ka qenë një nëpunës shembull administrate që në kohën e PD-së, por fakti që fshehu dënimin në vetëdeklarim është e pafalshme. Për këtë arsye Rama kërkon ndryshime në afatet ligjore në mënyrë që të kryehet verifikimi i të gjithë kandidatëve para se të futen në garën elektorale. Rama gjithashtu kërkon nisjen e verifikimit të vetëdeklarimeve të të gjithë politikanëve dhe dënimin  e tyre jo vetëm me përjashtim por edhe me ndjekje penale në rast të fshehjes së dënimeve të mëparshme.

“Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme!


Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë.

Jo vetëm kaq, po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur. Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal. Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive.

Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje!”, propozon kryeministri.

Valdrin Pjetri, kryebashkiaku i PS-së për Shkodrën, dha dorëheqjen nga posti ditën e enjte për shkak të akuzave të PD-së për fshehje të një dënimi në Itali të shumë viteve më parë. Pjetri premtoi se do të përballej me akuzat si një qytetar i lirë dhe do të vërtetonte se nuk ka pasur asnjë përgjegjësi ligjore në një incident të ndodhur 17 vite më parë kur ishte student.

Fill pas dorëheqjes së Pjetrit reagoi kreu i PD-së, Basha i cili tha se në politikën shqiptare do të ketë “një kriminel” më pak. Por kjo deklaratë e Bashës është kundërshtuar të premten nga Rama, i cili tha se Valdrin Pjetri nuk është kriminel por fakti se fshehu dënimin e ngarkon atë me përgjegjësi.




Skip to toolbar