“Dua të jap gjithçka”, Milani prezanton Zlatan Ibrahimovic

AKTUALITET


Milani prezantoi të premten futbollistin më të ri të skuadrës, Zlatan Ibrahimovic. Sulmuesi suedez, që rikthehet në skuadrën ku luajti dy sezone gjatë vitit 2010-2012, foli për mediat pas prezantimit të tij. Ai u shpreh fillimisht se me tifozët e Milanit ka një marrëdhënie të shkëlqyer, gjë e cila u tregua edhe gjatë mbërritjes së tij në Milano.

“Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me fansat. E rëndësishme është që tifozët të mbështesin ekipin, pasi gjysma e punës vjen prej tyre, sepse kur keni mbështetje gjërat bëhen më të lehta”, tha Ibrahimovic. Më pas, ai tregoi edhe kur mori vendimin për tu rikthyer në Milano, teksa kishte qenë Maldini ai që e kishte telefonuar për të shkuar te Milan. Ibra tha se do të jap gjithçka për këtë skuadër.

“Pas ndeshjes së fundit me LA Galaksi, kisha një thirrje nga Maldini, për të  folur për të ardhmen. Në këtë moshë që jam tani kam pasur më shumë oferta se sa kur isha 28 vjeç. Kam qenë i sinqertë, unë kërkoja adrenalinë dhe stimulim për të bërë më të mirën. Në këtë moshë nuk mund të kërkosh para, por një sfidë. Nuk ishte e vështirë të zgjidhja për tu rikthyer, pasi në 2012 nuk doja të largohesha. U largova pa dhënë miratimin tim, situata ishte e çuditshme. Unë dua të jap gjithçka për Milanin”, tha ai.

I pyetur nëse do të mbyll karrierën te Milan, Ibrahimovic është shprehur se do të luaj deri sa të jetë e mundur. Ndërsa theksoi se vjen për të bërë ndryshim në Serie A.

“Kur u dëmtova më thanë se nuk munde të luaj, por unë ia dola. Do të vazhdoj të luaj deri sa ta shoh se mund t’ia dal. Nuk mund të luaj si atëherë kur isha 28 vjeç, por unë mund të shënoj nga 40 metra. Sfida me veten time, është të bëj një ndryshim në Serie A. Dua të bëj një ndryshim në fushë për të sjellë rezultate positive. Tani jam shumë I lumtur, pasi në moshën 38-vjeçare të nënshkruash me Milanin, nuk e bëjnë të gjitha, dhe kjo do të thotë se unë ende mund të jap diçka”, tha ndër të tjera sulmuesi 38-vjeçar.



Skip to toolbar