Duka “toleron” Braçen: Qemal Stafa “mbetet” në stadium

SPORT


Qemal Stafa “mbetet” brenda në stadium. Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar emrin e ri të stadiumit kombëtar “Air Albania Stadium”, ndërsa nuk ka harruar të vendosë brenda saj emrat e personaliteteve të historisë dhe futbollit shqiptar. Këshilli i Administrimit dhe Asambleja e Përgjithshme e Aksionerëve të Qendrës Sportive Kuqezi ka vendosur që Tribunat e stadiumit të marrin pikërisht emrat e këtyre personaliteteve.

Përmes një njoftimi, FSHF tha se Tribuna qendrore do të emërtohet “Tribuna Qemal Stafa”, Tribuna Lindore(Ballore) do të emërtohet “Tribuna Panajot Pano”, Tribuna Veriore do të emërtohet “Tribuna Fatmir Frashëri” dhe Tribuna Jugore do të emërtohet “Tribuna Vasillaq Zëri”.

“Në këtë mënyrë jo vetëm respektohen këto personalitete të shquar, por edhe mbahet gjallë përgjithmonë kujtesa historike e stadiumit të vjetër” njofton FSHF.

Emri i ri të stadiumit “Air Albania” dhe largimi i emrit të vjetër “Qemal Stafa” solli një përplasje mes zëvendëskryeministrit Erjon Braçe dhe presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Duket se kjo ka sjellë edhe “tolerimin” nga ana e Dukës, i cili vendosi që personalitetet e shquara t’i mbante brenda stadiumit përmes Tribunave.

Pak ditë më parë, Braçe me një reagim të ashpër tha se Duka nuk ka si të njoh heroin Qemal Stafa, pasi ai ka “paranë” heroinën e kombit, dhe njeh vetëm kultin e parave. Vetë Duka nuk ka hezituar t’i japë përgjigje me ironi duke thënë se nëse do të paguante ai, stadiumi mund të mbante edhe emrin e tij.

“Nëse do flisja me mendimin e karriges, do flisja ndryshe. Komercializimi është gjëja më optimale e mundshme. Nuk dua të bëj replikë me asnjë. Në kushtet që jemi, ky stadium është ndërtuar me donacion nga UEFA. Është një model që e ndjek e gjithë Europa. Edhe unë mund ta doja që të ishte një emër sportisti, por jemi të detyruar se kemi nevojë për burime financiare. Nëse zëvendëskryeministri flet nga karrigia, mund të hedhë ato lekë dhe ne i vëmë emrin e tij”, është shprehur Duka.

FSHF bëri të ditur se u pranua oferta e kompanisë ajrore Air Albania Shpk për të mirëmbajtur dhe sponsorizuar stadiumin më modern në vend.

“Dje u nënshkrua kontrata e sponsorizimit mes palëve Qendra Sportive Kuq e Zi dhe Air Albania, sipas të cilës kompania ajrore Air Albania do të ketë të drejtën e vënies së emrit ‘Air Albania Stadium’. Pra që nga sot e deri në përfundim të kontratës 5-vjecare stadiumi do të quhet Air Albania Stadium” thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Inaugurimi i “Air Albania Stadium” do të bëhet të dielën më 17 nëntor në ndeshjen Shqipëri-Francë, pjesë e kualifikuese për Euro 2020. 



Skip to toolbar