Policia e Durrësit ka vënë në pranga një person i cili ishte shpallur në kërkim dhe më rrezikshmëri të lartë për vrasje. Arrestohet shtetasi Skënder Baku, 53 vjeç, banues në Luz, Fushë Krujë, i cili ka vrarë për gjakmarrje.
Skënder Baku është dënuar me 35 vjet nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, më datë 28.09.2015, për veprat penale “Vrasje për gjakmarrje, kryer në bashkëpunim “dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Ai kishte arritur që t’i shpëtonte drejtësisë, por u arrestua më 12 korrik 2019 në kuadër të operacionit “Revenge” .
Skënder Baku akuzohet për vrasjen me qëllim gjakmarrje të shtetasit Lulëzim Shera, i cili i vrau të vëllanë Arjan Bakun. Ngjarja ka ndodhur në 1992 në burgun 313 dhe për këtë Shera u dënua me 20 vite burg dhe doli në 2010. Mesa duket ky dënim nuk ka mjaftuar për familjarët e viktimës Arjan Bakun. Vëllai i tij Skënder Baku, pas daljes nga burgu të Sherrës e ka ekzekutuar atë në 2013 pranë një dyqani në Fushë Krujë. Ai u arratis pas krimit duke i shpëtuar drejtësisë për 6 vite.