Dy llojet e liderit, sipas Henry Kissinger-it

BOTA


Në librin e tij “Lidershipi”, diplomati i famshëm amerikan, një prej figurave më me peshë të diplomacisë amerikane dhe botërore të shekullit të kaluar dhe fillimit të këtij shekulli, fokusohet tek gjashtë udhëheqës të famshëm botërorë, të cilët sipas tij, u ngritën dhe morën përmasa historike për shkak të rrethanave në periudhën historike dramatike në të cilën jetuan: Konrad Adenauer, Charles de Gaulle, Richard Nixon, Anvar Sadat, Lee Kuan Yeë dhe Margaret Thatcher.

Por nuk do të merremi në këtë artikull me këta personazhe. Do të fokusohemi tek një përshkrim brilant që i bën Kissinger-i, dy llojeve të liderëve.


Sipas tij, në kohëra të qeta liderët janë thjesht udhëheqës të institucioneve që u janë ngarkuar të drejtojnë. Por në periudha krizash, shkruan ai, ruajtja e status quo-së mund të jetë kursi më i rrezikshëm. Dhe nga këto dy lloje situatash, Kissinger nxjerr dy lloje liderësh: burrin e shtetit, dhe profetin.

Të parët, sipas Kissingerit, janë ambiciozë por jo revolucionarë. Ata i çojnë shoqëritë e tyre përpara “ndërkohë që i shohin institucionet politike dhe vlerat themelore, si trashëgimi që u duhet përcjellë brezave të ardhshëm”. Ata e kuptojnë se, që shoqëritë e tyre të lulëzojnë, duhet që ndryshimi të mos shkojë përtej asaj që shoqëritë mund të përballojne.

Lloji i dytë i liderëve – profetët i quan Kissingeri – i shohin institucionet më pak nga perspektiva e asaj që mundet të bëhet, se sa nga këndvështrimi i imperativit. Ata shohin, sipas Kissingerit, si detyrë të tyre parësore, fshirjen e të shkuarës: të mirat dhe të këqiat e saj.

“Virtyti i profetëve”, shkruan Kissinger, “është se ata e ribëjnë tërësisht kuptimin e të mundurës. Ata janë njerëzit ‘e paarsyeshëm’, të cilëve George Bernard Shaw u njeh meritën për të gjithë progresin që ndodh”.

Liderët profetë, sipas Kissingerit besojnë tek zgjidhjet finale dhe të menjëhershme. Ata kanë prirje ta shohin gradualizmin si një lëshim të panevojshëm që u bëhet kohës, dhe rrethanave.

Cilido qoftë lloji i liderit, sipas Kissingerit, ata gjithmonë përballen me një sfidë të përhershme: të mos lejojnë që, kërkesat e të tashmes të përmbytin të ardhmen. / bota.al




Skip to toolbar