E majta mes një socialisti dhe një komunisti, Marksi dhe Enveri në optikën e Servet Pëllumbit

Më të fundit


Prof. Servet Pëllumbi

“Është një akt revolucionar të thuhet e vërteta në kohë gënjeshtrash” – G. Orwell


Në përvjetorin e Brigadës së IV-të sulmuese, themeluar në Voskopojë, (dhjetor 1943), isha ftuar si “trashëgimtar”, me që babai Ismail Pëllumbi (Porodina) ishte anëtar shtabi dhe intendent i Brigadës që në themelimin e saj. Takimi me komunistë të vjetër, por dhe me nga të tanishmit, të cilët është pak t’i  quash të çuditshëm”.

Ja gjuha tipike e tyre:”Partia komuniste e Shqipërisë marksiste-leniniste nuk do të bashkohet kurrë me partitë revizioniste të Xhafës, Çunit dhe Dajtit!”(Artikull tre faqe gazete i “shokut Qemal”, Kryetari i PKSH-   Gazeta “Zëri i së vërtetës”, 20 mars 2018).Jo rrallë kjo gazetë botohet gati nga faqja e parë deri tek ajo e fundit vetëm me artikuj të gjatë dhe fjalime të Kryetarit të tipit: “Vetëm një parti marksiste-leniniste mund të përballojë sfidat e kohës”! (Shih, Zëri i së vërtetës Nr. 555 etj). Nga ky tip komunizmi dhe nga parti të tilla duhet distancuar pa hezitim.

Në festën e Brigadës më qëlloi të ulesha në një tavolinë me një komshi në Tiranë, komunist në partinë e “shokut Qemal”. Ai m’u prezantua duke më nderuar si zakonisht me grushtin lart. Për të ngarë bisedën i them:

– Spartak ti je komunist, njëherësh, edhe biznesmen ndërtimi. Si përputhen këto me bindjet komuniste?

– Shumë thjesht, unë e ndihmoj partinë…!

– Nuk e di se si funksionon kjo tek ne, por po të tregoj një rast analog me një komunist në Firence të Italisë. Pas një takimi me biznesmenë të njohur të krahinës (viti 1995), bashkë me Ylli Bufin vizituam një fabrikë të njohur mermeri në Karera. U takuam me pronarin (me të cilin u njohëm në konferencë) si dhe me disa punëtorë, që i thirri ai kur unë e pyeta si me shaka: “Ç’komunist jini ju derisa shfrytëzoni punën e pa paguar të punëtorëve….

Përgjigja e tij: “Le të përgjigjen punëtorët”. Punëtorët me një zë: pronari na paguan mirë, na jep bonuse, një pagë shtesë në fund të vitit, na ndihmon për raste gëzimesh a fatkeqësish familjare, vihet në krye kur bëjmë demonstrata…!

– Spartak me të tillë komunistë të kohës, që s’ngjasin me as asnjë nga 5-6 partiçkat që e quajnë veten komuniste tek ne, pa bërë asgjë tjetër veç luftës me njëra tjetrën, edhe mund të diskutoj e të pajtohem pjesërisht! Në demokraci edhe komunistët kanë të drejtë të kenë partinë a partitë e tyre, me kusht që të njohin e zbatojnë rendin kushtetues, pra rregullat e lojës demokratike. Po si mund të diskutohet me disa nga ju kur ata që kanë mendim ndryshe i shpallni revizionistë? Me siguri, o Spartak, edhe unë për ty, Qemalin e kolegë të tjerë të PKSH (Marksiste-leniniste) revizionist jam derisa vazhdoj të mbështes PS, që nuk ka program komunist por socialdemokrat!

– Revizionist, revizionist, por nga Marksi nuk hoqe dorë me gjithë luftën që të bëri Berisha, madje edhe disa nga ata që kishe rreth e rrotull në Partinë Socialiste dhe “punonin” për Gazideden e paguheshin nga SHIK-u, aq sa të detyruan të jepje dorëheqjen në gusht 1996!

-E vërteta është Spartak, se oponentët e mi, të tipit Berisha, apo të disa prej ish kolegëve në PS, me apo pa pseudonime te Gazidede, nuk kishin lexuar veçse pjesë të shkëputura nga veprat e Marksit (në se),madje nuk dinin as atë që Marksi ka shkruar për Shqiptarët,që për epopenë e Skënderbeut kishte vlerësimin më të lartë, kurse vetë Skënderbeun e cilëson “si një figurë që shpejtoi zhvillimin përparimtar të njerëzimit”! Që në moshën e rinisë (1839), me dorën e vet, përgatiti një album me këngë popullore shqiptare që i pëlqente shumë. Qoftë dhe vetëm për këto vlerësime, ai kurrsesi nuk mund të quhej “monster” e gjinisë njerëzore, siç kishte qejf ta etiketonte rëndom S. Berisha, mjek nga profesioni.

-Kurse ti kishe studiuar 5 vjet për filozofi dhe kishe mbi 30 vjet pedagog i filozofisë. Dallim i madh!…

– Prandaj dhe nuk e kisha aq të vështirë të kuptoja, se nuk bëhej fjalë për ndonjë debat ideor e filozofik, por për diversion politik, për një taktikë përçarëse, zëdhënës të së cilës fatkeqësisht u bënë, të detyruar nga ndonjë “peng”, a nga injoranca filozofike, disa anëtarë kryesie të PS-së. Në aparencë paraqitej vetëm si presion kundër meje, që “të distancohesha nga Marksi”!

– Gjithsesi, nuk përjashtohej edhe një karshillëk nga ana jote. Mbaje edhe statujën e vogël të Marksit mbi tavolinën e punës dhe deklaroje se “do të hiqet kur të largohem unë nga kjo zyrë”. Dhe, me sa kam dëgjuar, kështu ndodhi vërtet në gusht të 1996, kur dhe dorëheqjen nga çdo lloj detyre në PS. A nuk kemi të bëjmë kështu me një lloj idolatrie?

– Mbase, kishte një lloj teprimi nga ana ime. Veçse ndryshe nga ju “komunistët”e sotëm unë nuk e quaja Marksin “diell që nuk perëndon kurrë”,siç vazhdoni ta quani ju E. Hoxhën!(Gazeta, “Zëri i së Vërtetës”, tetor ,2018). Dale, dale se ka edhe më! Një komunist i “orëve të para” më 31 tetor 2018 shkruan: “Enveri rron, është më i gjallë se të gjallët. Është në këmbë, është në këngë!”Ja edhe disa epitete të tjera: “Kryemodest, margaritar, kryehero, kryetrim, krye yll, kryekreshnik, kryebilbil, një zemër e madhe e bardhë, azgan, energjik, i freskët, vigan i vegjëlisë, pishtar i diturisë…!(Po aty)

Me këtë gjuhë dogmatike e idolatrie doni të “ndryshoni botën” ju komunistët e sotëm? Unë, përkundrazi, jam përpjekur ta trajtoj Marksin dhe veprën e tij, së pari, historikisht, pra në vartësi të kushteve konkrete –historike, dhe, së dyti, në mënyrë kritike pa thënë asnjëherë se “mjafton të rilexosh Marksin për t’i zgjidhur të gjitha problemet e sotme”! Pra, për mua Marksi, nuk është i pagabueshëm, por është i pashmangshëm. Në veprën e tij vlerë parësore kishte qëndrimi kritik ndaj aktualitetit, analiza e thellë e mënyrës kapitaliste të prodhimit, bashkëkohës i së cilës ai ishte dhe jo dhënia e recetave të gatshme për të ardhmen….! Madje sot në Perëndim po rehabilitohet edhe teoria e Marksit mbi klasat dhe politikën klasore, sepse “ndarja klasore është duke u përsëritur si përgjigje e pabarazisë së madhe të shkaktuar nga kriza globale e vitit 2008. Për pasojë “Marksi ka shumë për t’u thënë politikanëve të rinj” (The Economist, 2017.”The Guardian”, 2019)

-Mirë, mirë se nuk e kisha aq në sens kritik! E di që Marksi vlerësohet në gjithë botën, madje në qytetin e tij të lindjes edhe kartat e kreditit janë me portretin e Marksit! Veçse, mos harro, që “dielli” do të ndriçojë përsëri edhe për ne komunistët e sotëm, prandaj dua të pyes: ç’është Enver Hoxha për ju socialistët? A do rikthehet edhe ai si Marksi?

– Për ne E. Hoxha është “tokësor”, pra “jo-diellor”. Ne nuk e identifikojmë atë me epopenë e lavdishme të popullit shqiptar, me Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, siç bëni ju komunistët e sotëm. Edhe pse ishte udhëheqës kryesor i saj. Për ne socialistët figurat historike nuk duhen idealizuar, por duhen parë konkretisht: me meritat e dobësitë e tyre. Në rastin e dhënë ne nuk harrojmë as shndërrimin e E. Hoxhës pas çlirimit në një “Robespier shqiptar”, që   inskenonte akuza, diktonte deri dhe se kush do të arrestohej dhe kush do të çohej në “burgun e madh”, pra të pushkatohej!

– Nuk jam dakord me përcaktime të tilla, por as nuk dua të hyj në debat, se e di që do të më sillni shembuj konkretë dhe dokumente, midis tyre edhe si u arrestua vëllai juaj, ish kryetar i Degës së punëve të Brendshme të Durrësit me porosi direkte të tij me akuzën se “ka lojtur kumar” për të zbuluar më tej tek ai “armikun”, qenien krah i Feçor Shehut dhe pjesë e “komplotit Shehu-Hazbiu”. Kuptohet, edhe ne distancohemi nga praktika të tilla që dëshmohen edhe nga dokumentet autentike të botuara kohët e fundit.

– Të mirëkuptoj, por vetëm ty Spartak që po tregohesh realist, mbase nga që e ke njohur nga afër Lirimin dhe je i bindur që ai nuk mund të shndërrohej në armik i popullit, siç u etiketua fillimisht dhe më pas iu sajua një “shpërdorim detyre”! Kështu veprojnë diktaturat dhe diktatorët më të egër, që e venë veten në rolin e Zeusit!

– Gjithsesi, unë përsëri mendoj se teknologjia e informacionit apo shifrore po krijon një mjedis të ri e mundësi më të mëdha për t’iu kthyer disa ideve komuniste si ajo e ndarjeve e politikave klasore të Marksit që citove gazetën britanike The Guardian. Mbase të çliruara nga ekseset diktatoriale. Po sjell një argument. Natyra e informacionit dhe fakti që informacioni, si resursi kryesor nuk mund të tjetërsohet, e bën të pa mundur pronën private mbi të, pra i hap rrugën “shpronësimit të shpronësuesve”, fundit të  kapitalizmit, që parashikonte K. Marksi. Nuk e mohon dot këtë, apo jo se tashmë ka prova, përpjekjet për privatizimin e informacionit, në rrafshin e të drejtës mbi pronësinë intelektuale, kanë dështuar. Ndërkaq, aksionerët e korporatave globale, apo shumëkombëshe, nuk mund të drejtojnë pronën e tyre dhe kjo realisht është bërë detyrë e topmenaxherve, e kompjuterave dhe e intelektit artificial. Po të pyes profesor: a mund të ekzistojë kapitalizmi pa themelin e vet, pa pronën private?

– Më vjen mirë që u hodhe në një “degë tjetër” dhe që çështjen në diskutim e sheh nga pozitat e inxhinierit dhe jo si komunistët ekstremistë, kolegë të tu. Vërtet, hopi gjigant teknologjik, që pritet të zhvillohet edhe më me intensitet në të ardhmen, do të krijojë kushtet që prona private të vetëshuhet pa qenë nevoja e shpronësimeve me dhunë, siç mendonte Marksi, sepse priten zhvillime që çojnë në zëvendësimin e “nivelit të shfrytëzimit” me “nivelin e konsumit”

-Atëherë po të them, se gabimi në këtë rast është në anën tuaj, pra të socialistëve, sepse mendoni që çdo gjë do t’u zgjidhka vetvetiu nga shkenca dhe nga determinizmi teknologjik! Pa mohuar ndryshimet e pritshme, them se tjetërsimi i punës dhe shfrytëzimi mund të ekzistojnë edhe pa pronën private, se mund të vijnë edhe nga mënyra e drejtimit .Fakt është se kush qeveris ai ka e do të ketë edhe monopolin e informacionit etj. Një lloj sundimi jo më pak i egër!

-Jam dakord me këtë arsyetim, prandaj e ritheksoj, se jo çdo gjë e së ardhmes është e zgjidhur, apo se mund të zgjidhet vetvetiu. Para teorisë qëndron detyra që të gjejë rrugë të reja, adekuate me epokën e globalizimit. Për më tepër që edhe alternativa e liberalizmit, tashmë, ka dalë jashtë mode dhe diktatura e liberalizmit perëndimor u përmbys. Prandaj teza: e ardhmja ka nevojë për pyetje dhe jo për profetë të rinj, merr theks të veçantë aktual!

– Ndërkaq, pa harruar që globalizimi, si proces objektiv i përqendrimit të pronës, siç kam lexuar në një nga botimet e tua, nuk është një me globalizmin si ideologji dhe si projekt drejtimi që tashmë ka dështuar. Në këtë rast shkaqet janë objektive. Qëllimi i fundit i globalizmit është centralizimi total i pushtetit ekonomik e qeverisës në duart e një elite oligarkësh të pa kontrollueshëm dhe të shndërruar në “zota” të kohëve moderne. Po, ç’sistem do të jetë, a mund të më thuash? A nuk ka për të përfunduar si “eksperiment” me lumenj gjaku, pra, në një tragjedi të përmasave apokaliptike? Këtu, doemos, do të lindë përsëri nevoja e teorisë së Marksit, qoftë dhe në trajta të reformuara në përputhje me “kushtet konkrete historike”, që the vetë.

– Po, në këtë rast ke plotësisht të drejtë, se vetë zhvillimi na fut në qerthullin e kontradiktës kryesore midis mundësive që krijohen nga kompjuterizimi dhe intelekti artificial, që shoqëria e sotme të bëhet më e mirë, më sociale, më humane dhe pritshmërive që njeriu të bëhet më i keq si rezultat i shndërrimit të tij “në njeri i tepërt”, pra dhe në një barrë për shoqërinë. Aq më tepër mund të spikasë kjo tek elitat sunduese. Prandaj, sipas mendimit tim, të paktën dy gjëra nuk mund të vihen në diskutim: së pari, që shkenca në “rrugëtimin e vet” do të ketë gjithnjë e më pak nevojë për ndërmjetës, pra për praninë e njeriut; Së dyti, që “Zëri i moralit” dhe etika do të dalin në plan të parë duke i hapur rrugën Etikokracisë.

– Mirëpo ç’duhet bërë me njeriun kur ai bëhet i tepërt, barrë për shoqërinë, edukimi moral, sipas ju socialistëve, do ta shpëtojë nga “diktatura e elitave”? A nuk kërkon kjo daljen në skenë të komunistëve për të përmbysur gjithçka me dhunë revolucionare e për të shpëtuar njeriun, “kapitalin më të çmuar”?

–  Marksi këtë detyrë, Spartak, nuk ua la amanet vetëm komunistëve, por në radhë të parë “faktorëve” që krijon shkenca për vetërealizimin e njeriut, si dhe përdorimit sa më të frytshëm të kohës së lirë, pra dhe moralit, që liria e individit të bëhet kusht për lirinë e gjithë të tjerëve. Ky është thelbi i humanizmit të Marksit, që me gjithë dozat utopike që përmban, ka vlera racionale edhe për të ardhmen

-Më lejo që këtë ta vë totalisht në dyshim, sepse më duket se nuk ka si të jetë marksiste, por liberaldemokrate.”Koha e lirë”do të realizuaka gjithçka! Mjafton të presim dhe të durojmë. Ky është morali kristian, sipas të cilit kur të godasin në një faqe kthe shpejt tjetrën “që të mos e mundosh atë që të godet”!!!

-Përsëri më keqkuptove. Mundësia dhe parashikimi, ose prognoza asnjëherë nuk janë një me realitetin. Madje, mund të ndodhë si në ditët e sotme, që modelimet e të ardhmes globale të njerëzimit, të reduktohen në një metodë artificiale, që synon “konstruktimin e skenarëve” për interesa të ngushta oligarkësh! Kjo nuk ka të bëjë me zbulimin e mundësive për këtë apo atë variant zhvillimi, as me prognozën e zhvillimit social politik të shoqërisë duke bashkuar, në caqet e trajtimit sistemor, teorinë me praktikën. Pa harruar Spartak që edhe idetë, modelet, projektet”plaken”, prandaj “dritarja e mundësive” duhet lënë e hapur. Pa harruar që edhe historia e politikës ka karakter ciklik!

-Megjithatë, profesor, bindjet tona rreth asaj që ne përpiqemi të arrijmë, duhet të jenë të pa ndryshueshme, kurse përdorimi i tyre duhet të përshtatet me kushtet konkrete historike.

– Dakord, por vetëm me kusht që për idetë, teoritë, alternativat të bëhen përpjekje të vazhdueshme për ruajtjen e aktualitetit të tyre, se edhe ato, siç thamë, mund të “plaken” dhe të humbasin aftësitë konkurruese. Dogmatizmi ,si rregull,u prish punë të gjitha partive politike,përfshi dhe ato koministe. Mbase ca më tepër atyre!

– E pranoj që në këtë aspekt kemi ende mangësi serioze, veçse nuk ka si të mos revoltohen komunistët e sotëm, kur lexojnë ndonjë antikomunist që shkruan, se komunistët e djeshëm përfaqësonin “pjesën më të prapambetur e më të keqe të shoqërisë shqiptare, gjithsesi më pak të kulturuar, më agresive e më keqdashëse”, apo kur thuhet, se as teorikisht as praktikisht, komunistë të ndershëm as ka pasur as nuk mund të ketë! Mendime e tolerancë demokratike përfaqësojnë mentalitete të tilla përçarëse? Atëherë, sipas kësaj logjike partitë komuniste duhen nxjerrë jashtë ligji? Kurrkund në botë nuk bëjnë vaki përçudnime të tilla! Ne nuk mund të heshtim, sepse dihet që gënjeshtra implikon,jo vetëm atë që e thotë, por edhe atë që e dëgjon e nuk reagon.

– Kjo ndodh, i dashur Spartak, sepse sipas Havelit, nuk ka më të këqij se komunistët antikomunistë! Pa llogaritur ekstremistët nga radhët e të përndjekurve politikë, sipas të cilëve ata që bënë dhe drejtuan Luftën antifashiste Nacional Çlirimtare “ishin kriminelë pa përjashtim”!

-Dëgjo, më tha në fund, erdha në këtë festë partizane, se imperializmi botëror po lufton për tregje dhe do të shpërthejë Luftën e tretë Botërore. Vendi ynë me siguri do të pushtohet, doemos do të shpërthejë lufta partizane, do të krijohen brigada, divizione… Dhe, atë vetëm komunistët mund ta udhëheqin, se ato partitë tuaja pluraliste, me siguri kolaboracioniste do të bëhen! Nuk është e rastit që sipas një ankete të OSBE-së 45 për qind e shqiptarëve në vitin 2016, kishin mendim pozitiv për Enver Hoxhën. Nuk është pak, apo jo ?

– I them me shaka: Eh, qenkam munduar kot! Megjithatë, po të ndodhë kështu si the ti për mundësinë e një lufte të re Nacional-Çlirimtare, edhe pse i kam kaluar 80 –at, do t’u mbështes!

-Jo, jo, tha, të duam në krye, se kemi nevojë për atë “komunizmin” për të cilin më fole me aq durim, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve që të bëra shpesh e që disa prej tyre mund të të jenë dukur pa vend, mbase dhe provokative! Në thelb, profesor, edhe socialistët komunistë janë, apo jo?

-Kjo Spartak më kujton akuzën që na bëhej nga Berisha duke e quajtur Partinë socialiste “si PPSH me emër tjetër”! Jo “shoku komunist”, socialistët dallojnë shumë nga komunistët, që shprehen dhe luftojnë për një shoqëri që nuk mund të ekzistojë realisht, pra për komunizmin e konceptuar “si një mal me pilaf e mish që hanë të gjithë e nuk mbarohet”! Socialistët e tipit të anëtarëve të PSSH-së janë realistë dhe jo “interpretues ëndrrash”, që përligjin diktaturën dhe ashpërsimin e pa ndërprerë të luftës së klasave, që çon në dhunë, në persekutime dhe deri në reprezalje masive, siç ka ndodhur jo vetëm në BS, por edhe tek ne e vende të tjera. Prandaj, edhe biseda jonë e sotme ishte kërkojnë Stalinin tani”!

-Kot e kanë. Në rastin më të mirë “të mëdhenjtë e vdekur” mund të kthehen tek vendi që u takon në histori. Asgjë më tepër…!

(Marrë nga libri i autorit “Midis realitetit dhe imagjinatës”)




Skip to toolbar