Nga Alfred Lela
#metoo ka qenë një fushatë kundër ngacmimeve seksuale në Hollywood, nisur si reagim ndaj Harvey Weinstein. U përhap në të gjithë botën, veçse në Shqipëri ku, me sa duket, asnjë grua nuk ngacmohet seksualisht nga eprorët apo më të fuqishmit(!!!)
U desh të rridhnin muaj që e përbotshmja #metoo të imitohej edhe në Shqipëri, por jo si reagim ndaj një ngacmimi seksual, por një transgresioni politik, vendimit të Ramës, me shtysa të mëdha ndërkombëtare, për të shkuar i vetëm, pa rivalë, drejt zgjedhjeve të 30 qershorit.
Të lexuarit e dinë se politika është një akt sublimimi i seksuales, pra një zhvendosje e instinktit, libidos, ngasjes erotike drejt aksioneve apo përmbushjeve me karakter publik. Pasë thënë këtë jemi të përligjur për ta kuptuar 30 qershorin e Kryeministrit si ‘ereksion’ publik, si një formë të transgresionit, si një shprehje e seksuales me mjete apo rrugë të tjera.
Rama është ‘i erektuar’ nga fa(k)ti se mund të bëjë edhe mazhorancën deri më 30 qershor, por edhe nga mundësia se mund të prodhojë opozitën pas kësaj date. Ai e mendon se reaksioni zinxhir i 30 qershorit mund ta margjinalizojë opozitën Basha-Kryemadhi-Meta-Berisha në atë pikë sa, pafuqia e saj të jetë edhe pika e vlimit të një ‘të djathte të re’.
Edhe e ka shprehur këtë në biseda jopublike.
Pasë konsideruar këtë, pse Basha, shefi i opozitës disa krerëshe, i kundërvihet kësaj ‘stratagjeme seksuale’ me një #metoo jashtë seksi dhe jashtë konteksti?
A mundet që 30 qershori të jetë një betejë që luftohet në rrjetet sociale nga Bujari, Basiri, Besniku, Agroni, Ardiani, apo kushdo tjetër, pavarësisht krediteve publike që zotërojnë në bursën e wallstreet-it politik?
Basha nuk mund të ndërtojë shtjellë bllokuese me ‘the usual suspects’, ata që i ka përherë në krah, qoftë për skemë apo edhe ideologji. ‘Letrat e hapura të intelektualëve të pavarur’, Komitetet e Shpëtimit, Aleancat, Forumet janë një stërpërsëritje e mbetur në skemat e reja politike nga ndërgjegjja e vjetër komuniste. Njerëzit janë ata që mund ta kthejnë 30 qershorin e Ramës në parodi, jo përbetimet internautike. Aq më pak një #metoo e vonuar dhe aseksuale.