Basha moderon gjuhën, thirrje për bojkot, por jo bllokim zgjedhjesh

Më të fundit


Kreu i Partisë Demokratike duket se e ka kthyer në një rutinë daljen e tij në mbrëmje në orën 21:00 për të përcjell mesazhet e tij. Ndryshe nga herët e tjera, në daljen për media mbrëmjen e së martës, Basha foli me një gjuhë shumë më të moderuar dhe perëndimore duke u shmangur nga dhuna dhe urdhrat për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit. Përkundrazi larg dhunës, Basha dha mesazhin e tij për qytetarët: Atë të bojkotit të zgjedhjeve farse të 30 qershorit.

Basha, duke ju drejtuar të gjithë qytetarëve u bëri thirrje ta braktisin Ramën politikisht dhe të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ai fton qytetarët të mos bëhen pjesë e zgjedhjeve farse, të cilat opozita nuk do t’i njohë dhe i konsideron zgjedhje nul.


Kjo retorikë është shumë ndryshe nga ajo e ish-kryetarit të Partisë Demokratike në Elbasan, Aurel Bylykbashi, i cili paralajmëronte deri në vëllavrasje, për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Mënyra më e mirë për të përshpejtuar rënien e Edi Ramës, është braktisja e tij, është braktisja e oborrit të tij të kriminelëve, të klientëve, shërbëtorëve dhe veglave të tij. Refuzojeni Edi Ramën! Refuzojini kriminelët që ai mban pranë! Mbi të gjitha, braktiseni Edi Ramën politikisht! Unë ju ftoj që t’i braktisni!

Ju ftoj që të mos dilni të mos bëheni pjesë e kësaj farse, e cila i shërben vetëm krimit dhe pushtetit personal të Edi Ramës. Opozita do të bëjë çdo gjë që mundet  kudhër kësaj farse të paligjshme dhe kriminale! Ju ftoj edhe juve të bëni tuajën duke i braktisur. Fundi i Edi Ramës është pranë.”- tha Basha

Zgjedhjet njëpartiake të Edi Ramës do të jenë edhe fundi i tij sipas Bashës, i cili bëri një krahasim të Ramës me sistemin e Ramiz Alisë. Duke bërë thirrje për distancim nga dhuna Basha ka deklaruar se Rama ka futur provokatorë për të nxitur dhunë në të gjitha protestat e opozitës dhe se fundi i tij do të jetë më i keq se ai i Ramizit.

Edi Rama po kërkon të mbajë zgjedhje farsë, gjoja demokratike për të zgjatur jetën e regjimit të tij kriminal dhe autokratik, edhe për pak. Njësoj si më 1991, qytetarët ftohen të shkojnë në qendra votimi, të marrin një fletë votimi, në të cilën ka një emër dhe ta hedhin atë në një kuti, pa asnjë fshehtësi.  Edhe pse një komunist, pjesë e krimeve të regjimit kundër popullit, Ramiz Alia kuptoi fundin e tij dhe e pranoi atë pa i sjellë fatkeqësi dhe kosto të tjera vendit. Kurse Edi Rama ka zgjedhur një rrugë më fatale. Ai ka javë të tëra që bredh nëpër Shqipëri, duke provokuar dhe nxitur përplasje shoqërore. Në të gjitha protestat e opozitës, ka futur provokatorë për të nxitur dhunë.” – tha Basha

Basha nuk la pa përmendur edhe paditën që Rama bëri ndaj gazetarit gjerman Peter Tiede për përgjimet në BILD, por këtë herë u kap tek avokati i tij. “Është një nga avokatët më të shtrenjtë në Europë, që faturon të paktën 13 euro për minutë. Të gjithë klientët e këtij avokati janë multimilionerë dhe miliarderë dhe, mes tyre mbretër, dhe sulltanë. Nuk është e rastësishme që në këtë listë, tani, do të jetë edhe Edi Rama, një nga njerëzit më të pasur të Ballkanit. Me paratë kriminale Edi Rama jeton në luks, i shkëputur nga realiteti.”




Skip to toolbar