Shqipëria fitoi mbrëmjen e së martës ndaj Moldavisë, duke i rikthyer në garë për kualifikimin në Euro 2020. Edy Reja, foli pas ndeshjes për mediat, duke u shprehur i kënaqur me pikët, por edhe lojën e e skuadrës që hodhi në fushë.
“Na duhej fitorja. Luajtëm, është e rëndësishme loja që bëmë. Filluam mirë. Fitoren që na duhej, e arritëm. Djemtë ishin të qetësuar, edhe pse humbëm pikët në Islandë. Nëse nuk do fitonim, do kishte frikë për të ardhmen”, tha trajneri.
Taulant Xhaka u la në stol për të pushuar për shkak të lodhjes, ndërsa sa i përket lojës dhe skemës, Edy Reja shprehet se ekipi duhet të punojë më shumë.
“Unë kam një grup rreth 25 futbollistë, të gjithë janë disponibël. Duhej pak pushim nga ndeshja me Islandën. Duhej të provoj disa futbollistë. Në 15 ditë nuk mund të bëj gjithçka. Në mbrojtje kishim 4 mbrojtës, dhe 3 më përpara. Nuk mund të fitojmë pa djersitur, pa vuajtur, çdo vuajtje sjell dhe fitoren”.
Moldavia, ndonëse një kundërshtar jo i rrezikshëm, për Edy Rejan krijoi probleme. Sipas tij, këto të fundit u shfaqën mësëshumti në mbrojte, ndërsa për zëvendësimet u shpreh se i dhanë frymëmarrje skuadrës.
“Në mbrojtje patëm pak probleme. Skuadra zhbalancohet shpejt. Me Roshin dhe Cikalleshin, patëm një frymëmarrje dhe shënuam. Uzuni lëviz mirë, po bën mirë edhe në stërvitje. Cikalleshi i jep frymëmarrje sulmit. Nuk kemi bërë shumë ndryshime në mesfushë, por duke parë me Islandën, luajtëm më mirë”, tha ndër të tjera trajneri.