“Trajneri më i vjetër në qarkullim”, Reja tregon objektivat me Shqipërinë

AKTUALITET


Edy Reja, zbuloi për mediat italiane, se rinovoi kontratën me Shqipërinë. Në një intervistë dhënë të enjten, 74-vjeçari është shprehur se aventura në krye të kombëtares së Shqipërisë i jep entuziazëm. “Jam rikthyer nga fluturimi në Tiranë-Romë, pastaj Trieste dhe prej andej në Gorizia, te shtëpia ime. Jam i kënaqur, kjo aventurë në Shqipëri më jep entuziazëm të madh”, thotë trajneri i kuqezinjëve. Ai shton se projekti i katër viteve të ardhshme në krye të kombëtares shqiptare është i madh dhe një sfidë e bukur.

“Ekziston dëshira për ta bërë këtë punë. Të njoh, të mësoj, të jap përvojën time. Kjo është një sfidë e bukur, ka një projekt të madh, i cili nuk ka të bëjë vetëm me pjesën teknike të Kombëtares, por do të më përfshijë, me stafin tim, në gjthë zhvillimet e futbollit shqiptar”. Më tej, trajneri Reja shprehet se është i kënaqur që do të jetë trajneri më i vjetër në qarkullim. “Mosha është ndjenjë, është diçka që ndjen, kjo varet nga mënyra se si je. Sidoqoftë, nëse jam trajneri më i vjetër në qarkullim, jam i kënaqur”, thotë 74-vjeçari.


Trajneri zbulon dhe objektivat që ka me kombëtaren shqiptare në katër vitet e ardhshme. Reja thotë se do të synojë kualifikimin në Kupën e Botës, por objektivi kryesor është kualifikimi në Europianin e vitit 2024. “2022 është shumë larg. Më tej akoma është 2024, Evropiani, që është objektivi i vërtetë i kombëtares. Jam i interesuar të ndërtoj një rrugë të sigurt, e ndiej shumë këtë përgjegjësi. Nga Europa kualifikohen 13 vende në Kupën e Botës 2020. Ne do të bëjmë gjithçka dhe do të luftojmë me forcën tonë. Por nuk po mendojmë për objektivat, por po ndërtojmë diçka të re”, është shprehur Reja.

Në fund të intervistës së tij, Edy Reja, duke përshkruar përvojën e tij në Shqipëri, tregon se shqiptarët më shumë besojnë italianët se veten. “Ndihem shumë mirë, është një vend i gjallë, i banuar nga njerëz që kanë një respekt të lartë për ne italianët. Unë do të thoja që shqiptarët besojnë më shumë te ne sesa besojnë vetveten”.




Skip to toolbar