Ekonomia me trend pozitiv, Sejko: Ulet papunësia, rriten pagat mesatare

AKTUALITET


Gjashtëmujori i parë i këtij viti ka shënuar ecuri pozitive në disa terma të ekonomisë në vend, siç është rritja e pagave dhe apo ulja e papunësisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mbajti një konferencë për shtyp të mërkurën, ku prezantoi gjetjet e Këshillit Mbikqyrës. “Pavarësisht ngadalësimit të ritmit të rritjes, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje në tremujorin e parë. Sipas të dhënave të Instat-it, norma e papunësisë zbriti në nivelin 12.1%, ndërsa paga mesatare shënoi një rritje vjetore prej 4.9%. Kjo ecuri krijon premisa për një rritje më të shpejtë të inflacionit të gjeneruar në vend, duke ndihmuar kthimin e inflacionit në objektiv”.

Në raportin e prezantuar nga Guvernatori i BSH, rritja ekonomike për këtë vit pritet të ketë një  ngadalësim për shkak të tkurrjes së prodhimit dhe eksportit të energjisë elektrike. “Sipas të dhënave të Instat-it, aktiviteti ekonomik në vend u rrit me 2.2% në tremujorin e parë të vitit. Ngadalësimi i ritmit të rritjes erdhi kryesisht si pasojë e tkurrjes së prodhimit dhe eksportit të energjisë elektrike. Të dhënat e tërthorta të disponuara sugjerojnë se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri të ngjashme dhe në tremujorin e dytë. Në terma të kërkesës agregate, rritja ekonomike vijon të mbështetet nga konsumi dhe investimet, ndërkohë që deficiti i shkëmbimeve tregtare me jashtë është zgjeruar dhe politika fiskale vijon të ruajë një kah konsolidues. Në tërësi, rritja ekonomike e vitit 2019 pritet të jetë më e ngadaltë se ajo e një viti më parë, duke pasqyruar goditjen e ofertës që vjen nga rënia e prodhimit të energjisë elektrike”, tha Sejko.

Një tjetër aspekt pozitiv i ekonomisë shqiptare deri më tani, ka qenë përmirësimi i kredidhënies nga bankat për sektorin privat. Sipas Gent Sejkos, kredia për sektorin privat ka pasur një rritje vjetore me 6.7%. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, rritja e kredidhënies për bizneset është një lajm pozitiv. “E rregulluar për kreditë e nxjerra jashtë bilancit dhe kursin e këmbimit, kredia për sektorin privat ka shënuar një rritje vjetore prej rreth 6.7% në muajt prill e maj”.

“Zgjerimi i portofolit të kredisë ka qenë më i balancuar, si në drejtim të strukturës së monedhave ashtu dhe në drejtim të destinacionit të saj, duke regjistruar zgjerim të portofolit si në kredinë për individë dhe në atë për biznese. Ndonëse e moderuar, rritja e kredisë për biznese është një sinjal pozitiv për përmirësimin e kërkesës dhe ofertës për kredi. Rikthimi i treguesit të kredisë me probleme në trend rënës, sikundër ilustrohet nga ulja e tij në nivelin 11.37% gjatë muajit maj, jep sinjale inkurajuese për përmirësimin e mëtejshëm të ambientit të kreditit dhe të bilanceve të sektorit bankar”, tha Sejko.

Për ti dhënë një impuls tjetër ekonomisë, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë do të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.0%, do të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe kredisë njëditore, respektivisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.



Skip to toolbar