BSH konfirmon qeverinë: Malaj ka shkelur Kodin e Etikës

Më të fundit


Banka e Shqipërisë ka mbështetur qëndrimin e mazhorancës në lidhje me shkarkimin e Arben Malajt, nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkelje të etikës.

Në një deklaratë, Banka e Shqipërisë ka treguar rezerva në lidhje me qëndrimet politike të mbajtura kohët e fundit nga Malaj, që në fakt dënohen edhe nga Kodi i Etikës i miratuar në 2003.  Sipas BSH qëndrimi individual që bie ndesh me karakterin publik të rolit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe detyrimin e tyre për të promovuar besimin publik në integritetin, paanësinë dhe efektivitetin e Këshillit Mbikëqyrës, duhet detyrimisht të trajtohet si jopërfaqësues i institucionit dhe në kundërshtim me rregullat e Kodit të Etikës.


“Kodi i Etikës i kërkon zyrtarëve publikë të kujdesen që gjatë përfshirjes në debate politike apo publike, të mos dëmtojnë besimin e publikut në aftësinë e tyre për t’i përmbushur detyrat me paanësi dhe besnikëri. Banka e Shqipërisë u ka bërë të ditur, në vazhdimësi, të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës detyrimin për të mbajtur parasysh se, që nga momenti i emërimit, deri në përfundim të mandatit, ata përfaqësojnë, në çdo situatë, organin më të lartë drejtues të institucionit dhe se me deklarimet apo veprimet e tyre mund të dëmtojë imazhin e tij.” – thuhet në deklaratën e BSH

Banka e Shqipërisë sqaroi edhe rastet përjashtuese të Kodit të Etikës që lidhen vetëm më publikimin e artikujve shkencorë, apo akademikë, ku në të cilën sërish anëtari duhet të qartësojë se artikulli nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës apo të Bankës së Shqipërisë.

“Kodi i Etikës përcakton shprehimisht se çdo veprimtari tjetër e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, e cila kryhet jashtë detyrave të tij të përcaktuara në Ligjin për Bankën e Shqipërisë, nuk duhet të ketë ndikim negativ mbi detyrimet që ai ka ndaj Bankës së Shqipërisë dhe nuk duhet të dëmtojë imazhin e saj. Kodi i Etikës parashikon vetëm një rast kur anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës i lejohet të ndajë qëndrimet e veta nga ato të Bankës së Shqipërisë. Në publikimin e artikujve shkencorë, apo akademikë, anëtari mund të qartësojë se artikulli mund të mos përfaqësojë qëndrimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës apo të Bankës së Shqipërisë.” – thuhet në deklaratë.




Skip to toolbar