Malaj kundër BSH: Kam respektuar Kodin Etik të BQE, jo tuajin

AKTUALITET


Pas publikimit të një njoftimi të Bankës së Shqipërisë, e cila theksonte rastet kur një anëtar i Këshillit Mbikqyrës shkelte Kodin e Etikës, ka reaguar dhe Arben Malaj, i cili të enjten pritet të shkarkohet nga detyra që mban aktualisht. BSH shkruante se Kodi i Etikës u kërkon anëtarëve të saj të bëjnë kujdes gjatë përfshirjes në debate publike, duke mos shprehur qëndrime politike që dëmtojmë imazhin e Bankës. Arben Malaj ka bërë dy reagime të ndryshme në pak orë lidhur me këtë deklaratë të BSH. Në të parin qëndrim, anëtari i KMBSH shprehet se nuk është i përfshirë në asnjë strukturë partie apo aktivitet politik, duke e cilësuar këtë si një ngatërrëesë me keqdashje.

“Për këtë debat nuk shprehet Banka e Shqipërisë si institucion, por vetëm Këshilli Mbikëqyrës. Kam respektuar në maksimum Kodin e Etikës, nuk marr pjesë në asnjë strukturë të asnjë partie, këtë kërkon ligji i Bankës, nuk jam i angazhuar në asnjë aktivitet politik, sapo mbaruan zgjedhjet vendore kjo konstatohet lehtë. Po ngatërrohet me keqdashje dallimi midis angazhimit apo aktiviteteve publike me angazhimet dhe aktivitetet politike”, shkruan ndër të tjera Malaj.


Ndërkohë, në një reagim të dytë, Arben Malaj, tregon se i është dashur të përdorë Kodin e Etikës së Bankës Qendrore Evropiane, për shkak se në Kodin e Etikës së BSH, nuk ka qenë i parashikuar një rregull. “Bile bazuar në Kodin Etik të Bankës Qendrore Evropiane edhe pse nuk është në Kodin Etik të BSH, kam respektuar rregullin e tyre që një anëtar i Këshillit Mbikëqyrës nuk shprehet në media 7 ditë përpara mbledhjes së këshillit, ku merret vendimi për politikat monetare, për normën bazë të interesave dhe instrumenta të tjerë”, shkruan Malaj.

Një pjesë e deputetëve të Parlamentit kanë firmosur kërkesën drejtuar Kuvendit, ku kërkojnë që në seancën e radhë të shkarkohet anëtari i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Arben Malaj, pasi ka shkelur rëndë Kodin e Etikës. Kërkesa është futur në axhendën e Kuvendit, dhe të enjten pritet që të hidhet në votim.




Skip to toolbar