Eksportet i kthehen rritjes, thellohet deficiti tregtar

EKONOMI


Eksportet shqiptare më në fund ka dhënë shenja përmirësimi në muajin korrik, pas një 6-mujori të parë në terren negativ, por bilanci i 7-mujorit ngelet ende në rënie me 2.6% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2018.

Sipas të dhënave nga INSTAT, në Korrik 2019 eksportet e mallrave arritën vlerën 28 miliardë lekë, duke u rritur me 3,6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 8,5%, në krahasim me Qershor 2019. Ndërsa importet e mallrave arritën vlerën 60 miliardë lekë, duke u rritur me 2,3%, në krahasim me një vit më parë dhe me 11,4%, në krahasim me Qershor 2019. Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 miliardë lekë, duke u rritur me 1,1%, krahasuar me Korrik 2018 dhe 14,1%, në krahasim me Qershor 2019.


Tregtia e jashtme e mallrave sipas vendeve partnere (milionë lekë)

Ndërsa krahasuar me shtatë mujorin e parë të vitit 2019, eksportet e mallrave arritën vlerën 180 miliardë lekë, duke u ulur me 2,6%, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 377 miliardë lekë, duke u rritur me 2,6%, krahasuar me një vit më parë. Rënia e eksporteve dhe rritja e importeve e ka zgjeruar deficitin tregtar të vendit, që në 7 muaj arriti vlerën e 197 miliardë lekëve, në rritje me gati 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rritja e eksporteve gjatë korrikut u ndikua sidomos nga grupi i ushqimeve dhe pijeve, por edhe kthimi i rritjes në grupin “minerale, lëndë djegëse, energji”. Në 6-mujorin e parë, ky grup regjistroi rënie të eksporteve, kryesisht për shkak të ndryshimit të ndjeshëm të kushteve hidrike dhe prodhimit të energjisë krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.

Tregtia e jashtme sipas grup mallrave (milionë lekë)

Sa i përket ecurisë së tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere, rezulton se në muajin Korrik 2019, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2018 janë Kosova (7,3%), Spanja (42,1%) dhe Gjermania (17,1%). Gjysma e eksporteve shqiptare shkojnë drejt Italisë, që vazhdon të dominojë dukshëm si partner tregtar. Kosova mban vendin e dytë, në rritje me 24% kundrejt vitit të kaluar.  Megjithatë, në muajt e fundit rritja e eksporteve drejt Kosovës është ngadalësuar ndjeshëm dhe përfitimet nga taksa 100% mbi mallrat serbe janë ndoshta më të ulëta nga sa pritej.

Edhe importet iu rikthyen rritjes për muajin korrik, me 2.3% më shumë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Edhe rritja e 7-mujorit të parë është në përmasa të përafërta.




Skip to toolbar