Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit të Krimeve të Rënda Behar Dibra, që kërkoi masën “arest me burg” në mungesë, për 8 personat e shpallur në kërim, që dyshohet se janë autor të vrasjes së Santiago Malkos.
Konkretisht, personat e akuzuar janë dy vëllezërit, Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku dhe Dritan Agaj, të gjithë banues në Tiranë.
Me të njëjtën masë u vlerësua dhe Fatmir Hyseni, nga Vlora, i njohur me nofkën “Doqja”, i cili gjithashtu dyshohet si pjesë e bandës që vrau ish-policin Santiago Malko.
Këta persona, të shpallur në kërkim, akuzohen për veprën penale “Vrasja me dashje në bashkëpunim”, “Mbajtja e armëve pa leje”, “Vjedhja në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të rënda pritet të vlerësojë së shpejti edhe masën për Bledar Tetën, i cili është i arrestuari i vetëm për ekzekutimin e Santiago Malkos në muajin gusht. Teta u arrestua pasi u zbulua nga kamerat e sigurisë.
Ai dyshohet se kishte rolin e informatorit në grupin që ekzekutoi ish-policin, e përfshirë gjithashtu në vepra kriminale.