Ibsen Elezi, ish-kryetar i Partisë Demokratike në Kukës, një nga zërat kundër Bashës brenda së djathtës, ka mbajtur një qëndrim të fortë ndaj atyre që janë kundër sulmeve ndaj Ilir Metës. Në një postim në Facebook, Elezi i rikujton demokratëve “bëmat” me vjedhjen e votave të LSI-së në Kukës dhe gjithë Shqipërinë, për të cilat shprehet se i ka përjetuar vetë. Madje Ibsen Elezi, tregon edhe një detaj, një telefonat të Lulzim Bashës, që në 2013 i kërkonte ish-kreut të PD-së në Kukës, që të ishte pjesë e numërimit të votave se “ka informata të sakta që Meta kishte dhënë shumë lekë për të blerë mandatin”.
“Nuk është momenti të sulmojmë Metën dhe LSI, se mbrojmë Edi Ramën, më thotë një mik që ja do të mirën të djathtës. Hajde llogjikë Elefanti hajde, mos keni frikë se s`do e lërë vetë shoku Rama të bjerë, se po u këput zinxhiri i pandëshkueshmërisë shkojnë të gjithë në të sëmës. O shoku, miku, po ti rendis disa nga bëmat e dukshme, që t`jua kujtoj edhe atyre që bëjnë se i kanë harruar. Shoku Meta është ai që e ktheu në femone blerjen e votës. Në 2013 e kam të jetuar si kryetar i PD Kukës, pa pikë turpi solli në Kukës një kandidat të LSI (biznesmenin Cole nga Gjirokastra, pa asnjë lidhje me Kukësin) dhe bleu 14% të votave, hapur në pikë të ditës me diell. Vetë lideri perëndimor Basha më ka marr në telefon dhe më ka kërkuar të jem numërues në Kolegjin Zgjedhor se ka informata të sakta se Meta ka dhënë shumë lekë për të blerë mandatin. Kjo ka ndodhur rëndomtë në të gjithë Shqipërinë, pra ka blerë vota”, shkruan Ibsen Elezi.
Por nuk mbetet me kaq, bëmat e Ilir Metës me vjedhjen nuk kanë të sosur. Ibsen Elezi i kujton demokratëve, e padyshim liderit të tyre Lulzim Basha, vjedhjen e floririt në Krrabë, prishjen e marrëveshjes me PD-në në 2013, instalimin e korrupsionit në çdo ministri e drejtori që administrohej nga LSI gjatë qeverisjes me PD-në, apo dhe videon e të nderit Dritan Prifti, për shkak të së cilës u vranë 4 njerëz të pafajshëm më 21.
“Shoku Meta u akuzua për vjedhjen e thesarit dhe kjo e argumentuar me detaje nga Doktori në atë kohë. Për më tepër këtë ma ka treguar edhe një mik i persekutuar, që bëri edhe disa vite burg pse e dekonspiroj këtë çështje. Pra është akuzuar nga vetë Doktori dhe PD “hajdut”. Shoku Meta në 2013, 3 muaj para zgjedhjeve bëri rokadën e madhe dhe kaloj në krahun e ‘hasmit’ të vetë Ramës, vetëm për të qenë pjesë e tepsisë, ndërkohë që kishte një marrëveshje me PD, pra besprerë. Shoku Meta gjatë qeverisjes me PD 2009-2013, shumicën e ministrive apo drejtorive të LSI e ktheu në vatër të korrupsionit, duke infektuar gjithë sistemin, kjo e pranuar nga drejtuesit e lartë të PD, pas humbjes së 2013. Video e Priftit solli 4 të vrarë. Pra i korruptuar. Shoku Meta dhe LSI janë më komuniste se vetë PS, mjafton t`ju kujtoj faktin e fundit kur në qëndrimin zyrtar të tyre e quajtën Mit`hat Frashërin (themeluesin e parë të fronit antikomunist) kolaboracionist. Pra janë komunistë me thelbin e tyre. mos ju hedhin hi syve, Meta është një e keqe po aq e madhe sa Rama i Soros, ndryshon vetëm në formë, por në përmbajtje”, shkruan Ibsen Elezi.