Elisabeta Imeraj: Çfarë po ndodh me SPAK

Më të fundit


Në një takim me studentët e Juridikut, kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj ka folur për reformën në Drejtësisë dhe ngritjen e strukturës së posaçme SPAK, që do të hetojë rastet e korrupsionit në nivelin e lartë të administratës. Imeraj ka shprehur ambicien e saj për të qenë pjesë e kësaj strukture.

“Për produktin ne duhet të presim. E rëndësishme është që të gjithë mekanizmat e përfshirë në zbatimin e këtij legjislacioni të ndryshuar, pra në zbatim të reformës në drejtësi, të bëjnë punën e duhur, në mënyrë që produkti si SPAK të dalë në mënyrë të duhur. Kjo pritet për t’u parë në varësi të punës që po bën secili nga institucionet përkatëse.

Fakti që prokurorët hetojnë edhe raste korrupsioni të kolegëve të tyre tregon se vullneti i tyre për punë të ndershme ekziston. Nga kjo trupë prokurorësh dhe gjyqtarësh ne kemi disa të hetuar, të gjykuar e të deklaruar fajtorë, edhe pse janë kolegët tanë” – tha Imeraj në këtë takim.

Ajo bëri të ditur se prej shumë vitesh ka hetuar krimet e rënda dhe tani që drejton prokurorinë e Tiranës e quajti si hap të natyrshëm kandidimin e saj për t’u bërë pjesë e strukturës speciale anti-korrupsion SPAK.

Imeraj i krahasoi këto struktura të reja speciale kundër korrupsionit sot në 2019 si një domosdoshmëri njëlloj si ishte e nevojshme ngritja e gjykatës dhe prokurorisë së krimeve të rënda në 2004, pra si një kundërpërgjigje ndaj krimit në periudha të ndryshme kohore.



Skip to toolbar