Mbledhja e Këshillit Koordinativ për Veriun e zhvilluar në selinë e PS u zhvillua me debate të forta, njëlloj si në mbledhjen e strukturave të PS në Shkodër një ditë më parë. Emërimi i drejtorëve të rinj në Shkodër ka qenë sërish pika kyçe e debatit, ku pati një përplasje mes deputetit socialist Paulin Sterkaj dhe kryeministrit Rama.
“E keni bërë si tender këtë çështje. Secili çon emrat e vet” tha Sterkaj në mbledhje, por që ka hasur qëndrimin e fortë të Kryeministrit Rama, i cili tha se do i jap vetë drejtim kësaj çështje, duke qenë se koordinatorët socialist të qarkut nuk bënë gjë. Rama tha se të hënën do zhvillojë një mbledhje vetëm me Shkodrën duke paralajmëruar se do ndodhin ndryshime.
“Nuk e kemi bërë tender. Musai me ka thënë që i keni çuar nga 7 lista. Kam menduar që ju do ta zgjidhni këtë gjë. Tani do merrem vete. Meqë ju nuk i dhatë drejtim, të hënën do bëjmë mbledhje të posaçme vetëm me Shkodrën për këtë çështje” ka thënë Rama.
Emërimi i drejtorëve të rinj në Shkodër dhe shkrirja e strukturave drejtuese të PS në këtë qytet kanë shkaktuar debate dhe përplasje të forta mes socialistëve edhe në mbledhjen e strukturave të PS-së në Shkodër ditën e enjte. Mungesa e kryetarit të degës së PS Shkodër për të riorganizuar strukturat drejtuese të socialistëve në këtë qytet do bëjë që procesi të menaxhohet nga një grup koordinatorësh. Kjo nuk është pëlqyer nga socialistët e Shkodrës të cilën shpreh revoltën e tyre ndaj emërimeve të drejtorëve nga Tirana dhe mos dhënies rëndësi të socialistëve të Shkodrës.