“Ende ka hije të së kaluarës në Shqipëri, refuzohet dialogu me kundërshtarin”

POLITIKË


Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt ka dhënë mesazhe të qarta për politikën shqiptare, ndërsa ka reaguar për herë të parë pas sulmit në rezidencën e tij me shënimin në mur “turp të kesh”.

Ambasadori Borchardt ka qenë sot i pranishëm në konferencën ndërkombëtare shkencore “Fytyra e armikut të popullit gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri, 1944-1990”, ku ka bërë krahasime të regjimit komunist me zgjatime dhe sjellje të ngjashme të politikës së sotme.

Borchardt tha se zgjatime të së kaluarës totalitare ka ende dhe në Shqipëri dhe se sulmohet kush vendos fakte kundër mitit.

“Po në Shqipëri – sa të gjata janë hijet e së kaluarës totalitare këtu? Sa më shumë nxehet debati, aq më shumë dëgjojmë anatemime në grup të atyre që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë argumente kundër pikëpamjeve të tyre. Flitet dhe shkruhet për të zhbërë karaktere – dhe jo për fakte apo argumente logjike kundër qëndrimit që ata përfaqësojnë. Refuzohet dialogu me kundërshtarin politik. Sulmohen ata që përpiqen të vendosin faktet kundër mitit.

Pra, hijet janë të gjata. Tepër aktorë politikë kryesorë, herët a vonë, përfundojnë duke akuzuar njëri-tjetrin me metaforat dhe retorikën karakteristike për mënyrën sesi metoda e “armikut të popullit” e kupton politikën dhe jetën publike. Kjo vazhdon ta dëmtojë shoqërinë edhe sot, shumë kohë pasi regjimi politik diktatorial vrastar ka dhënë shpirt, përmes mbajtjes gjallë të perceptimit se një person i vetëm mishëron kombin dhe ka pushtetin të përcaktojë dhe ndëshkojë armiqtë në emër të një nocioni të fabrikuar të moralit, që gjoja rrjedh nga masat”, u shpreh ai.

Kohët e fundit ambasadori i OSBE-së është sulmuar nga përfaqësues të opozitës.



Skip to toolbar