Shqipëria merr pjesë në asamblenë e “IRENA” për Energjinë e rinovueshme

AKTUALITET


Shqipëria mori pjesë në sesionin e 10-të të Asamblesë së IRENA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme), i cili u zhvillua gjatë Javës së Qëndrueshmërisë Energjetike, në Abu Dhabi. Vendi ynë u përfaqësua me delegacionin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kryesuar nga ministrja Belinda Balluku.

Gjatë këtij eventi të përvitshëm, me rëndësi të veçantë për avancimin e shtrirjes së energjisë së rinovueshme në të gjitha kontinentet, ministrja Balluku zhvilloi një takim bilateral me Drejtorin e Përgjithshëm të IRENA, Francesco La Camera.


Në takim u diskutua mbi ecurinë aktuale të diversifikimit të burimeve të rinovueshme në Shqipëri, si dhe mundësinë për një mbështetje teknike e financiare, të dhënë nga Fondi i Zhvillimit të Abu Dhabi.

“Balancimi i energjisë së prodhuar nga burimet hidrike me energjinë e prodhuar nga parqet diellore dhe ato eolike, janë synimi kryesor i diversifikimit të burimeve të rinovueshme në vendin tonë”, – u shpreh ministrja Balluku gjatë takimit.

Ministrja Balluku i propozoi drejtorit La Camera të mbështesë planet tona të së ardhmes, përmes projekteve inovative si panelet e lundrueshme, të cilat janë pilotuar me sukses në disa vende. “Jam shpresëplotë se IRENA dhe personalisht z. La Camera, do të ndihmojnë Shqipërinë për realizimin e objektivave të vendosura”, – theksoi Balluku.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme ka për synim dhe përgjegjësi, përshpejtimin e procesit të transformimit të energjisë si dhe mbështetjen e vendeve anëtare për krijim e bazave ligjore e rregullatore, por dhe përthithjen e investimeve në fushën e energjisë së rinovueshme.




Skip to toolbar