Vendi është përfshirë të dielën nga një mot i ftohtë dhe me erë. Në Tiranë, gjatë pasdites janë shënuar disa incidente për shkak të erës së madhe. Por fatmirësisht nuk janë raportuar të lënduar. Kështu, sipas Balkanweb, në zonën e “Komunës së Parisit” nga era kanë rënë depozita të ujit nga taracat e pallateve.
Fatmirësisht nuk janë shënuar të lënduar nga kjo ngjarje. Gjithashtu, për shkak të erës në qendër të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”, pema e festave të fundvitit është rrëzuar në shesh. Edhe në disa rrugë ka pasur rënie të pemëve për shkak të erës së fuqishme.
Ndërkohë, me anë të një njoftimi Meteoalb Albania shprehet se “stuhitë e erës vijojnë deri në mesnatë. Më problematike situata paraqitet në bregdet kryesisht në jug duke sjellë probleme në trafikun detar, në momente të veçanta era do të jetë mbi 90 km/h në jug të vendit”.
“Dallgëzimi do të jetë i lartë deri në 7-8 ballë në det. Reshje dëbore në të gjithë zonën malore. Që nga nesër i ftohti i acartë mbërrin në vend me temperatura -11 gradë C në rang vendi. Ky i ftohtë mbetet deri të mërkurën kur nis rritja graduale e temperaturave”, thotë Metoalb në dy njoftime të ndryshme gjatë pasdites të së dielës.