“Erë me shpejtësi 30 m/s dhe temperatura -10 gradë C”. Si do të jetë moti në dy ditët në vijim

AKTUALITET


Ministria e Mbrojtjes njoftoi mbrëmjen e të dielës lidhur me situatën e shkaktuar nga moti i keq në vend. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, era gjatë mesditës të së dielës ka qenë nga 5-10 m/s. Sipas Shërbimit Meteorologjik, në qytetin e Tiranës era ka qenë deri në 18 m/s. “Shpejtësia më e lartë e regjistruar në qytetin e Tiranës me 18 m/s. Era intensive do të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit të së hënës me shpejtësi mesatare 5-10 m/s dhe hera-herës era fiton intensitet deri në 15-20 m/s”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Më tej, saktësohet se në zonat bregdetare era do të jetë dhe me shpejtësi më të madhe, ndërsa lajmëron se në datën 7 janar temperaturat do të ulen deri në -10 gradë. “Përgjatë vijës brendetare dhe zonat luginore stuhia e erës arrinë në shpejtësinë deri në 25-30 m/s. Duke nisur nga orët e mesditës së datës 6 janar pritet pakësim gradual i intensitetit të erës me shpejtësi mesatare 5-10 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare zonat dhe zonat luginore të verilindjes dhe juglindjes si dhe në zonën e alpeve era do të mbetet intensive deri në 20-30 m/s.


Nga data 7 janar era humbet akoma më shumë intensitet dhe bëhet mesatare me shpejtësi 3-8 m/s me përjashtim të vijës bregdetare e cila do të arrijë shpejtësi deri në 15 m/s. Dita më e ftohtë parashikohet të jetë mëngjesi i datës 7 janar, me temperaturat që pritet të arrijnë deri në -10 gradë në zonat malore, -6 në ato të ulëta dhe -1 gradë në ato bregdetare”, thotë Ministria e Mbrojtjes.

Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i bën thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimet në afërsi të pallateve apo objekteve që rrezikojnë të rrëzohen nga era. “Ministria e Mbrojtjes, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, nisur nga situata e pazakontë e erës së fortë gjatë orëve të fundit në disa qarqe të vendit, i bën thirrje qytetarëve, të shmangin qëndrimet në afersi të pallateve, godinave të larta, pemëve dhe objekteve të rrezikshme.

Rënia e sendeve dhe objekteve të ndryshme për shkak të erës përherë e më të fortë,  mund  të bëhen shkak për aksidente. Ndërkohë, Ministrja Xhacka përmes AKMC është në komunikim të vazhdueshëm me shtabet e emergjencave në të gjitha prefekturat, për të ndjekur orë pas orë situatën e vështirë të motit të shkaktuar nga erërat dhe bora në disa qarqe.  Sipas informacioneve paraprake të deritanishme situata është nën kontroll dhe nuk raportohen probleme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.




Skip to toolbar