Erdhi Reya, por retë e zeza nuk ikin, ankohet për mbrojtjen (si Pannuci)

KOMBËTARE


Trajneri i kombëtares shqiptare Edy Reja ka folur pas ndeshjes për RTSH, duke komentuar humbjen e ekipit tonë kundër Islandës, në takimin e tretë kualifikues për Euro 2020.  Trajneri kuqezi ka shprehur keqardhje për pësimin e golit, teksa pesë lojtarë dështuan të ndalin kundërshtarin në mbrojtje.

Ndeshja e humbur? “Më vjen keq, nuk luajtëm keq, sidomos në fillim. Ata nuk bënë ndonjë gjë të madhe, përveç lojës ajrore. Luajtëm më mirë, e kërkuam golin deri në fund, kur ranë fuqitë. Mëkat, sepse patëm dy raste për gol në fillim, patëm raste edhe në pjesën e dytë. Mbetet fakti që luajtëm mirë, luftuam shumë dhe krijuam raste. Për rezultatin më vjen shumë keq, jam i tërbuar, sepse ishte edhe një penallti në favorin tonë. Mëkat, fati nuk qenka me ne”, u shpreh Reja.

Pësimi i golit në atë mënyrë, ju vjen keq? “Goli erdhi në qendër, me 3 mbrojtës. Kur dikush niset në sulm, nuk mund të driblojë 3 lojtarë. Ndoshta mund të bëhet një faull taktik, nuk mund të bëhet ai gabim aty, edhe pse lojtari depërtoi bukur dhe u tregua i zoti. Patëm 3 mundësi ta ndalnim, ishte një gabim fëminor, i pafalshëm”.

Çfarë kuptuat nga ndryshimet? “Ishte e vështirë, u mundova të ndryshoj pak ritmin me Kaçen, për të bërë diçka për faullet, goditjet nga këndi, sepse ai është i zoti teknikisht. Patëm disa raste në fund, duhej më shumë cinizëm e vendosmëri. I vendosëm në vështirësi, por nuk ditëm të shënojmë”.



Skip to toolbar