Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan u ka bërë thirrje shteteve islame që të ndihmojnë Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërkohë që Turqia ka qenë një ndër shtetet e para që ka dërguar ndihma për banorët e prekur nga tërmeti. Erdogan ka ka bërë të ditur se pas lajmit të tërmetit ka biseduar dy herë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Erdogan theksoi se i ka dërguar ngushëllimet kryeministrit Rama dhe shtoi se Turqia ka dërguar ekipet e saj të kërkim-shpëtimit. “Gjithë botës islame i bëj thirrje që ta mbështesë Shqipërinë”, shtoi ai.
“Mendoj se duhet të jemi pranë Shqipërisë në lidhje me ndërtesat e rrënuara, gjë e cila veçanërisht është detyra e Organizatës Islamike për Zhvillim. Besoj se është shumë e dobishme që të hedhim këtë hap. Kjo është një detyrë vëllazërie, ka dobi në hedhjen e këtij hapi”, deklaroi Erdogan.
Ndërsa Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe koordinim, TIKA ka shpërndarë ushqime dhe pako me ndihma për familjet e prekura nga tërmeti. Janë shpërndarë mbi 500 pako me ushqime dhe batanije në zonën e Thumanës, ndërsa në total Turqia ka dërguar mbi 3000 pako me ushqime dhe batanije që do vijojnë t’i shpërndahen familjeve të prekura nga tërmeti në Durrës e Thumanë.