Ermal Onuzi merr drejtimin e Gardës, ministri Hoxha: Do ta kthejmë në trupë elitare

AKTUALITET


Drejtimi i Gardës së Republikës së Shqipërisë i është besuar Ermal Onuzit mes 6 kandidatëve për kreun e këtij institucioni; Artan Didit, Dritan Osmanit, Krenar Çarçanit, Klajdi Hajredinajt dhe Jona Lamkos.

Onuzi u prezantua sot nga Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, i cili shprehu besimin për të vijuar punët e nisura dhe për të qenë një trupë elitare.

“Vizita ime e parë në Komandën e Gardës lidhet me një moment të rëndësishëm, me prezantimin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Gardës së Republikës, z. Ermal Onuzi, i cili u përzgjodh pas një procesi të hapur konkurrimi, me kandidatura të mira e profesionistë të fushës së sigurisë. I urova zotit Onuzi suksese në detyrën e rëndësishme, duke besuar fort se do të çojë para punët e nisura, për ta kthyer këtë trupë, në elitare”,tha Hoxha.

Ai theksoi në takimin me drejtuesit e lartë të Gardës, se si për çdo institucion tjetër, vijimi i reformimit është i domosdoshëm.

“Kjo për ta bërë atë me eficiente në përmbushjen e misionit dhe detyrave për të garantuar sigurinë e personaliteteve të larta, të organeve të reja të drejtësisë, duke e shndërruar në një institucion modern e profesional. Shqipëria, ashtu si viti që lamë pas, do të presë në vijim forume politike të rëndësishme ndërkombëtare. Ndaj theksova se duhet angazhimi, që në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese të sigurohet mbarëvajtja e aktiviteteve. Konfirmova se në përmbushje të misionit tim dhe vizionit për drejtimin e Ministrisë së Brendshme, me mbështetjen e Qeverisë dhe Kryeministrit Rama, do të bëj gjithçka me synimin që efektivët e Gardës së Republikës të jenë profesionistë të vërtetë, të dedikuar dhe të varur vetëm nga forca e ligjit”, u shpreh kreu i ministrisë së Brendshme.

Ai  falënderoi ish-Drejtorin e Gardës Gramos Sako, që për mbi 10 vite udhëhoqi procesin e transformimit dhe reformimit të Gardës, si dhe Drejtorin e Komanduar Sami Kuti, që drejtoi institucionin për disa muaj për punën e bërë.



Skip to toolbar