Sëmundja “Ethet e Minjve” ka mbërritur dhe në vendin tonë, duke vënë në alarm vendin. Dy raste janë paraqitur deri tani në QSUT, ku një prej tyre ka ndërruar jetë. Bëhet fjalë për një 32 vjeçar nga Erseka, i cili nuk ka mundur t’i bëjë ballë kësaj sëmundje.
Drejtoresha e Infektivit në QSUT, Najda Çomo, jep alarmin dhe shpjegon se “ethet e minjve” ose siç njihet në gjuhën mjekësore, ethe hemorragjike, shkaktohet nga brejtësi i kuq dhe transmetohet përmes ushqimit. Çomo shton se nga virusi mosha më e rrezikuar janë të rinjtë nga 18-40 vjeç.
Kjo sëmundje përhapet me së shumti në zona malore, ku ka dhe brejtës të egër. Simptomat dalluese janë temperaturë e lartë, ethe e dhimbje muskujsh. Po ashtu kjo sëmundje prek dhe organet jetike, ndaj ka dhe vdekshmëri të lartë.
Mjekja bën thirrje që qytetarët sapo të shohin simptomat e para të drejtohen te spitali rajonal i zonës, ku banojnë dhe më pas rasti referohet zyrtarisht në QSUT.
Qytetarët që jetojnë në Tiranë nuk janë të rrezikuar, kjo pasi në kryeqytet nuk ka vatër të kësaj sëmundje. Nxehtësia dhe thatësira janë favorizuese për sëmundjen, por edhe pse rastet janë të pakta, vdekshmëria është mbi 60%.
Pak ditë më parë, një rast i tillë u shënua dhe në Kosovë. 21-vjeçari nga komuna e Junikut, Fluturim Gaxherri ka ndërruar jetë për shkak të kësaj sëmundje. Gaxherri, afër një muaj me parë kishte marrë sëmundjen e etheve të minjve, si pasojë e konsumimit të ushqim, i cili ishte infektuar nga minjtë. Vlen të theksohet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ditë me herët kishte alarmuar lidhur me situatën epidemiologjike me ethet e minjve, duke bërë thirrje që ushqimet të ruhen nga minjtë.