Në shtator nis lëvizja “Basha ik”, një revoltë e organizuar nga të mënjanuarit e PD, të cilët pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kanë qenë mjaft kritikë me qëndrimet e tyre ndaj kreut të opozitës, duke paralajmëruar një aksion për të ngjallur shpresën në PD.
Burime të Realstory.al thonë se pjesë të kësaj lëvizje do jenë zëra të fortë kritikë të Bashës, që nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri dhe shumë të tjerë, të nxjerrë jashtë strukturave drejtuese të PD, të cilët kanë mbajtur qëndrime të forta kundër Bashës pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duke kërkuar që kryedemokrati të mbajë përgjegjësi, si për djegien e mandateve, ashtu edhe për bojkotin e zgjedhjeve. Lëvizjes që synon ndryshimin nga poshtë lart dhe akumulimit të frustrimit ndaj dështimit të aksionit opozitar priten t’i bashkohen dhe shumë ish-kryetarë bashkish, që u detyruan të dorëzojnë zyrat pa betejë.
Basha merr goditjen e parë nga aleatët e vegjël, të cilët me pretekstin e pjesëmarrjes në “zgjedhjet” e 13 tetorit, pritet t’i dalin atij kundër më 4 gusht. Një veprim të tillë, Duka, Mediu dhe Ndoka e paralajmëruan edhe një ditë më herët, duke shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit pa kushtin e vendosur nga Basha “Rama ik”. Për këtë qëndrim, Basha mblodhi me urgjencë aleatët e tij mesnatës e së enjtes, duke dashur të mbajë të unifikuar qëndrimin e opozitës, por që burime të realstory thonë që ata do dalin me një qëndrim ndaj kreut të opoziës.
Kundër i doli dhe Meta të martën, qëndrim që e përforcoi të enjten, kur tha se “nuk mund të pengonte një parti politike të mos merrte pjesë në zgjedhje dhe të kthehej në OJF”, çka tregoi frustrimin edhe të tij dhe të LSI ndaj frikës patologjike të Bashës ndaj zgjedhjeve.
Mbetet enigmatik pozicioni që do marrë Berisha. Më herët realstory.al ka njoftuar se mes tij dhe Bashës tashmë ka një akullnajë në mes dhe se në sytë e tij, konfirmuar edhe nga ndërkombëtarët, Basha nuk perceptohet si i aftë për të fituar zgjedhjet.
Realstory.al pati njoftuar se në shtator pritet të nisë procesi që mund të sjelle ndryshimin e kreut të PD dhe zëvendësimin e tij me Jorida Tabakun, e preferuar edhe e grupeve të mëdha e të forta financiare dhe ekonomike, ata që Basha i quan “oligarkë”, por që janë faktor i rëndësishëm në lëvizjen e pushteteve në vend. Vetë Tabaku nuk e ka përgënjeshtruar kurrë hapur se NUK ka asnjë ambicie për më shumë se nënkryetare e grupit parlamentar.
Por lëvizja që nis në shtator është nga të mënjanuarit e PD. Si do sillet Berisha ndaj tyre? Do t’i përkrahë apo do t’i përdorë indirekt për të shtuar kundërshtitë ndaj Bashës, apo ngjallur realisht shpresën në PD? “Me këtë lëvizje do marrë goditje sistemi i partive të liderëve. T’i vijë pak hidhur edhe Berishës, por që nuk besoj se edhe këtë kërkon, me sa kuptoj. Nuk do më t’i japë zgjedhje personale. Jua ka thënë këtyre tanëve ‘ngjallni shpresë’”, thotë për realstory.al një burim nga organizatorët e kësaj revolte, e cila nga 1 shtatori deri më 13 tetor, do ia bëjë jetën të vështirë Bashës, i cili në mungesë të aleatëve të brendshëm, po mundohet të kërkojë një negociatë ndërkombëtare për të zgjidhur krizën e tij. “Krizat t’i zgjidhin institucionet shqiptare”, tha Palmer një ditë më herët. Shtatori do ta tregojë nëse kjo këshillë vlen edhe për vetë PD. / Realstory