Exclusive/ Si do mbrojë Basha “fitoren”: Kur t’iu pyesin për motin, thoni: Zgjedhjet ishin nul

#NËRADAR


“Edhe po t’ju pyesin për motin, thoni që zgjedhjet janë nul. PD fitoi”. Mund t’ju duket e çuditshme por kjo fjali është pjesë e tezave të Partisë Demokratike të hartuara pas zgjedhjeve të 30 qershorit dhe të shpërndara për anëtarët e kryesisë dhe ish deputetët e Grupit Parlamentar. Realstory.al ka zbulur në mënyrë ekskluzive dokumentin që i është shpërndarë anëtarëve të kryesisë së PD-së dhe një nga porositë që Basha ka për të vetët është që “të përsërisim deri në mërziti, pa u lodhur 2 gjëra, votimet janë të paligjshme, PD fitoi”.

Tetë janë tezat kryesore që duhet t’i përmbahen anëtarët e PD-së. “Përsëritja e gjetjeve kryesore të raportit të OSBE/ODIHR; Këto janë votime të paligjshme; Për herë të parë votime me një parti; Për herë të parë përjashtohet opozita nga komisionet; Edhe pse me vetëm një kandidat nuk  lanë  as mundësinë në fletë votimi të votohej kundër por vetëm një kuti ku mund të votohej vetëm pro; Edhe Fronti Demokratik në komunizëm kishte formalisht dy kuti një Pro një Kundër; Edhe pse vetë kandidoi, vetë votoi dhe vetë numëroi, i manipuloi të gjitha; Edi Rama manipuloi edhe një proces që e kontrollonte të gjithin vetë dhe kjo tregon edhe njëherë se me të nuk mund të ketë zgjedhje të lira”, shkruhet në dokument.

Përmes këtij dokumenti duket qartë se Basha e PD ka vendosur të mos reflektojë por të vazhdojë me këmbëngulje ta quaj nul 30 qershorin si dhe të bindë të vetët se ata janë fitues.

 “Shqiptarët braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 përqind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste. 85% e shqiptarëve duan ndryshim. Kjo është e vetmja vlerë e 30 Qershorit. Gjithçka tjetër është farsë e paligjshme, antikushtetuese. PD dhe opozita doli më e fortë dhe më e bashkuar nga 30 qershori”, shkruhet në dokument.

Gjithashtu në dokument u jepet porosi ish deputetëve dhe anëtarëve të PD që të mos  u përgjigjen çdo lloj pyetje që u drejtohet në mënyrë që të mos prodhojnë lajme, por t’u qëndrojnë vetëm këtyre tezave.

“Edhe nëse pyetemi për motin, ne duhet të themi “sipas raportit të OSBE/ODIHR”. Nuk duhet të komentojmë çdo pyetje që na bëhet.  Jo çdo pyetje duhet të marrë një përgjigje që të përbëjë lajm patjetër. Ne duhet të mësohemi të mos i japim përgjigje çdo gjëje dhe sipas rastit t’i themi atyre që nuk kemi koment apo kjo pyetje nuk ka rëndësi për thelbin e çështjes. Është e rëndësishme të jemi koncizë”, shkruhet në dokument.

Porosi jepen edhe në lidhje me qëndrimet që PD duhet të mbajë për deklaratat e presidentit, duke theksuar se në asnjë mënyrë nuk duhen komentuar akuzat e tij për Sorosin, të zbuluar më herët nga realstory.al. (lexo këtu)

“Ne kemi vlerësuar përherë përpjekjet e Presidentit për zgjidhjen e krizës. Por qëndrimi ynë është i pandryshuar: ne nuk hyjmë në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës dhe nxjerrjen e drejtësisë së atyre që vodhën zgjedhjet në bashkëpunim me krimin. Për qëndrimet e tjera të Presidentit ne nuk kemi asnjë koment. (Këtu përfshihet edhe çështja e Sorosit)”, shkruhet në tezat e PD-së.

Në lidhje me qëndrimet e SHBA dhe BE, porosia kyçe e lidershipit të PD-së është “nuk kemi asnjë koment”.

“Ne nuk komentojmë qëndrimet e SHBA dhe BE. Qëndrimi ynë për zgjedhjet është i qartë: ne nuk i njohim këto zgjedhje, pasi ato janë të paligjshme. OSBE-ODIHR ka konfirmuar që këto zgjedhje janë të paligjshme. Manipulimet e shumta që u zbuluan vërtetojnë qëndrimin tonë se Edi Rama nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndryshme. Ai vodhi edhe votat e veta”, shkruhet në tezat e PD-së.

Ish deputetëve dhe anëtarëve u jepet porosi të përmendin në çdo dalje të tyre me shifra pjesëmarrjen e ulët në zgjedhje si dhe t’i cilësojnë të paligjshëm të zgjedhur e rinj vendorë.

Në dokument nënkupton edhe nxitja e trazirave në mënyrë që të mos lejohet marrja e zyrave nga të zgjedhurit e rinj vendorë. Në tezat e PD-së shkruhet se PD e konsideron të paligjshëm zaptimin e zyrave nga të zgjedhurit e rinj vendorë dhe se si reagon populli këtë nuk e parashikon dot askush.

“Emrat që do të dalin nga votimet e paligjshme të 30 qershorit janë rezultat i zgjedhjeve të paligjshme, dhe në kundërshtim me vullnetin e thuajse të gjithë votuesve të Shkodrës, Kavajës, Lezhës, Kamzës, Tropojës dhe bashkive të tjera.

Në këto kushte çdo përpjekje për zaptimin e bashkive është e paligjshme dhe do të trajtohet si e tillë.

Çfarë do të thotë kjo??? Çfarë do bëni???

Ne i konsiderojmë të paligjshme dhe do e trajtojmë si të paligjshëm çdo përpjekje për pushtimin e bashkive.

Se si vendos ti përgjigjet populli, banorët e këtyre bashkive, këtë nuk mund ta parashikojmë sot dhe nuk ka njeri që e parashikon dot!”, shkruhet në dokument.

Në të gjithë dokumentin duket qartë se strategjia e PD-së në ditët në vijim nuk ndryshon asnjë presje me atë që ka bërë deri tani, të mohojë zgjedhjet e 30 qershorit, ta cilësojë veten fituese, të sulmojë me akuza Ramën e qeverinë si dhe të krijojë trazira nëpër bashki duke mos lejuar marrjen e zyrave nga të zgjedhurit e rinj vendorë./Realstory.al



Skip to toolbar