Exclusive/ Juristi: Radha është për vakancën, jo për emërimet

AKTUALITET


I gjithë konflikti mes presidentit, KED-së, dhe Parlamentit për emërimet në Gjykatën Kushtetuese shpërtheu për shkak të radhës që duhet të ndjekin institucionet për të zgjedhur kandidatët. Presidenti bëri zgjedhjen e parë dhe më pas vetëpezulloi procesin, siç e quajti ai, në pritje të radhës që Kuvendi të bënte zgjedhjen e tij dhe më pas presidenti të bënte zgjedhjen e dytë, duke ruajtur kështu një radhë kohore. Por një jurist i lartë që preferon të mbetet anonim në mënyrë që të ruajë paanshmërinë e institucionit, shpjegon për realstory.al konceptin e “radhës” sipas Kushtetutës dhe ai thekson duke dhënë shembuj konkretë dhe duke u bazuar në Kushtetutë se koncepti i radhës lidhet me vakancën dhe jo me idenë se “pa vepruar ti, nuk veproj unë”, duke bllokuar në këtë mënyrë procesin e emërimeve.

A duhet ndërruar Kushtetuta për të kufizuar Presidentin?

Sipas tij “radha” në Kushtetutë është se cili organ do të shpallë vendin e parë vakant dhe jo cili organ do të emërojë të parin. Në radhë kohore për kryerjen e veprimeve, fillimisht, është shpallja e vendit vakant që do të zëvendësohet (këtë thotë neni 179/2), dhe me pas vjen emërimi/zgjedhja.

“Koha e emërimit do jetë e ndërvarur gjithashtu edhe nga numri i kandidatëve që do të konkurrojnë për secilin vend vakant. Për shembull: në varësi të viteve të mandatit që zëvendësohet, në rast se për vendin e parë vakant të Presidentit kanë konkurruar 20 kandidatë; për vendin e dytë të Kuvendit kanë konkurruar 10 kandidatë dhe për vendin e tretë të Gjykatës së Lartë konkurrojnë 5 kandidatë; dhe KED arrin të verifikoje më shpejt 5 kandidatët që i përkasin Gjykatës së Lartë sepse janë më pak dhe nuk kanë problematikë, ose 10 kandidatët e Kuvendit dhe nuk arrin të përfundojë në kohë procedurën e verifikimit për 20 kandidatët e Presidentit, sepse duhet më shumë punë. Mos vallë do të duhet, “për shkak të radhës”, të presë Gjykata e Lartë, apo Kuvendi për të zgjedhur një nga tre kandidatët e listës, derisa të përfundojë verifikimi i 20 kandidatëve të Presidentit nga KED?!  Jo”, thekson juristi i lartë ndërsa shpjegon se “radha lidhet vetëm me faktin se, pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës, sapo të hapej një vend vakant, cili organ do e shpallte këtë vend i pari, të cilit i përkiste e drejta për ta zëvendësuar”.

Ai citon nenin 179 të Kushtetutës ku shkruhet: “anëtari i parë për t’u zëvendësuar…”. Sipas tij formula u ndryshua në mënyrë të atillë që 3 institucionet në fjalë të mos kishin përplasje se cili prej tyre do të shpallte i pari vakancën, ndaj u vendos një radhë e tillë.

“Pra, meqë ndryshonte formula e mëparshme dhe të mos përplaseshin 3 organet u vendos se i pari që do e “shpallë” vendin vakant që do të zëvendësohet, është Presidenti.

Ky është detyrimi kushtetues dhe koncepti i radhës, për të shpallur vendin vakant dhe jo për të emëruar. Është i pavarur secili organ në ushtrimin e detyrës; mjaftojnë vetëm tre kushte të jenë plotësuar për të:

1.  Të ketë shpallur vendin vakant që zëvendësohet; pra e di se kë vend do zëvendësojë;

2. Të ketë marrë listën e KED me tre emrat e parë;

3. Të veprojë brenda 30 ditëve.

Kaq.

Mbi këtë bazë, organi vepron.

Pra, radha nuk lidhet me konceptin se pa vepruar ti, nuk veproj unë.

Te tre organet kanë vepruar tashmë sipas radhës duke shpallur vendin vakant; këtu mbyllet historia e radhës”, shpjegon juristi i lartë për realstory.al duke rrëzuar edhe njëherë pretendimet se nuk ka afat detyrues për presidentin dhe se ai mund të zgjedhë përtej listës me 3 emra të KED-së/realstory.al



Skip to toolbar