Hajdari apel politikës, të ndalin sulmin ndaj drejtësisë

AKTUALITET


Kryetarja e Grupit Demokrat në parlament, Rudina Hajdari i bën apel krerëve të politikës në Shqipëri të ndalin sulmin ndaj institucioneve të drejtësisë. Ajo shkruan se këtë kërkesë ia ka bërë presidentit dhe do t’ia bëjë edhe kryeministrit, ndërsa thotë se përgjatë 29 viteve, institucionet janë sulmuar qëllimisht që të delegjitimohen.

“I kërkova Kryetarit të Shtetit, Presidentit të Republikës, dhe në vazhdim do ia kërkoj edhe Kryeministrit e të gjithë faktorëve politikë, që të ndalin urgjentisht lojën e vjetër dhe të shëmtuar politike e cila ka vënë në shënjestër institucionet e drejtësisë me qëllim delegjitimimin e tyre.


Për 29 vite me radhë, kjo klasë politike i ka dobësuar e delegjitimuar qëllimisht institucionet, në mënyrë që i vetmi autoritet në vend të ishin kryetarët e dy apo tre partive. Prandaj për 29 vite Shqipëria ka parë shumë krim dhe aspak ndëshkim”, shkruan Hajdari ndërsa thekson se tashmë ka ardhur koha që kjo situatë të marrë fund.

Sipas saj vendi nuk ka nevojë për burra që hiqen të fortë para kamerave por për institucione të forta.

“Vendi, sot më shumë se kurrë, ka nevojë jo për burra që hiqen si të fortë para kamerave, por për institucione të forta të cilat japin drejtësi për të gjithë, të varfër apo të pasur, me apo pa pushtet.

Ka ardhur koha që vendin ta qeverisin institucionet, ligji dhe kushtetuta”, shkruan Hajdari.

Kjo kërkesë e saj vjen në një moment kur presidenti ka njoftuar se do të bëjë padi penale ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.




Skip to toolbar