Megjithëse parlamenti i Shqipërisë nuk e ka thënë ende fjalën e fundit, duket se për SHBA-në, presidenti Ilir Meta është i shkarkuar. Janë dhënë sinjale më herët për këtë qëndrim të ftohtë të SHBA-së ndaj tij, por vulën e vuri vizita e së mërkurës e drejtorit për Evropën Qendrore e Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik. Zyrtari i lartë i DASH i shoqëruar nga e ngarkuara me punë e ambasadës amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Oneës, zhvilloi takime me të gjithë figurat kryesore politike në vend, përveç presidentit Ilir Meta. Kostelancik u takua me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi; kryeministrin Edi Rama; kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla; kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. Por ajo që ra në sy në këto takime, ishte fakti se zyrtari i lartë i DASH nuk kishte parashikuar në axhendën e tij një takim me kreun e shtetit, duke e shmangur plotësisht atë.
Siç duket sulmi i ashpër drejtuar amerikanëve në lidhje me reformën në drejtësi i ka kushtuar rëndë presidentit Meta, për të cilin Kuvendi ka nisur procedurën e shkarkimit, por ende nuk e ka shkarkuar plotësisht. Pavarësisht kësaj duket se për amerikanët, Meta është i shkarkuar.
Sipas verifikimeve të Realstory.al janë të paktën 4 raste që vërtetojnë zhvlerësimin që amerikanët i kanë bërë Metës.
Rasti më flagrant ishte ai i së mërkurës që e shpjeguam më lart.
Rasti tjetër ishte mos njohja e dekretit të presidentit për anulimin e datës 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Megjithëse presidenti firmosi një dekret të tij, zyrtarët amerikanë kërkuan që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor, të jenë të qeta e të rregullta. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit”. Ka qenë kjo deklarata e ndihmës sekretarit të shtetit Matthew Palmer në një prononcim për Zërin e Amerikës më 27 qershor, vetëm 3 ditë para zgjedhjeve duke zhvlerësuar totalisht rolin e Metës dhe firmën e tij.
Rasti i tretë është mosnjohja e dekretit tjetër, atë për zgjedhje më 13 tetor. Edhe në këtë rast firma e Metës nuk është njohur nga politikanët amerikanë.
Ndërsa rasti i 4 lidhet me të gjitha akuzat që Meta ka bërë ndaj reformës në drejtësi. Ai ka sulmuar hapur ambasadën amerikane se në bashkëpunim me Ramën kanë kapur reformën duke e kthyer atë në Ramaformë, si dhe ka sulmuar ekspertët ndërkombëtarë të Euralius të cilët jo vetëm kanë ndihmuar në hartimin e kësaj reforme, por vazhdojnë të japin kontributin e tyre në zbatimin korrekt të saj. Në të gjitha rastet SHBA nuk kanë reaguar në mënyrë të drejtëpërdrejtë ndaj akuzave të Metës, por kanë gjetur një mënyrë origjinale. Atë të publikimit të videove informuese për qytetarët për ecurinë e deritanishme të reformës në drejtësi. Përmes këtyre videove SHBA e ka bërë të qartë shumë herë se Reforma në Drejtësi është investim i tyre dhe se procesi po ecën në rrugë të mbarë dhe se “nuk pinë ujë” akuzat e Metës në këtë drejtim./Realstory.al