“Fajin e ka BE”, PD sulmon Hahn: Klientelizëm i pavend

POLITIKË


Për opozitën shqiptare, mos hapja e negociatave ka vetëm një emër, Edi Rama dhe kush del kundër kësaj është klient i Ramës. Madje, PD ka sulmuar për këtë çështje edhe komisionerin Johannes Hahn, duke e cilësuar deklaratën e tij “kleintelizëm i pavend”.

Në një intervistë për ABC News, ish-ministri i PD, Enkelejd Alibeaj sheh si shkaktar të mosintegrimit të vendit qeverinë dhe fajtorin kryesor, kryeministrin Edi Rama. Madje sipas ish-ministrit, ai ka shpërdoruar edhe dashamirësinë e përfaqësuesve europianë. Më konkretisht, Alibeaj foli për përfaqësuesit e KE-së të cilët sipas opozitarit në shumë raste i kanë zbukuruar raportet ndaj Shqipërisë, çka ka bërë që Franca të kërkojë mënyrën se si kontrollohen dhe monitorohen reformat në vend. Sipas Alibeajt edhe deklarata e komisionerit për zgjerimin Johanes Hahn se fajin e ka Europa dhe jo Shqipëria pasi liderët europianë deklaruan se nuk u hapën negociatat “është diabolizëm dhe disa herë edhe klientelizëm i pavend”.


“Macroni ka thënë Jo sepse do duhet që të rigjenerohet mekanizmi i cili kontrollon, monitoron se sa reforma reale bëjnë katro vende. Kjo do të thotë një gjë që e kemi thënë ne më përpara që ajo pjesa e burokracisë së Komisionit Europian atje jo gjithmonë ka qenë e ndershme me Francën dhe Gjermaninë. I ka vizatuar me lajle e lule reformat jo reale që vendi ynë ka bërë. Të kapim rastin më të mirë. Edhe këtë e pranoj ndoshta burokratët kanë thënë t’u japim një dorë këtyre që nuk i kanë bërë detyrat aq mirë, por duke i fshehur defektet tu japim një dorë. Shërbimi që kanë bërë është i gabuar. Një gjë që nuk e kuptoj është se si mund të dalë komisioneri ditën e fundit dhe të thotë kur Macroni ka folur, Merkel ka folur, ka thënë që faji nuk është i Shqipërisë, por është i Europës. Këtë nuk e pranoj, ky është diabolizëm dhe disa herë edhe klientelizëm i pavend”, tha Alibeaj. 

Sipas ish-deputetit të Partisë Demokratike, jemi në një situatë që Shqipërisë i është vendosur edhe njëherë muri i izolimit me Europën, ndërsa nuk mohoi që opozita mund të ketë pasur fajet e saj gjatë gjithë historisë politike 30-vjeçare të vendit tonë.

Megjithatë, qëndrimi i Hahn për negociatat nuk ishte i vetmi, pasi shumë kryeministra vendesh dhe komisionerë të BE deklaruan të njëjtën gjë, që nga Presidenti i Këshillit Europian, Tusk, Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, Mogherini, ndërsa nuk kanë mbetur mënjanë pa kritikuar këtë qëndrim Kryeministri i Italisë, i Sllovenisë, i Bullgarisë e shumë të tjerë, ndërsa Merkel u angazhua personalisht për të bindur Macron për të mos lejuar veton franceze.




Skip to toolbar