Disa ditë më parë, disa media online qarkulluan lajmin se kryeministri Edi Rama për shkak të gjendjes shëndetësore jo të mirë, kishte anuluar takimin me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Nga Ohri, ku mbajti një bisedë me gazetarët shqiptarë pas samitit për Shengenin ballkanik, Rama shuajti zërat se ishte sëmur.
“Më vjen keq që shëndeti im është shpresa e atyre që humbin pushtetin. Skam probleme shëndetësore. Edhe sikur të kisha, besoj se nuk është kjo një rrugë fortë e respektueshme për të bërë politikë”, tha Rama. Po përse kryeministri Edi Rama ka munguar në daljet e tij në publik? Përgjigjen e jep vetë ai. Nga Ohri ai u shpreh se mungesa e daljeve në publik, lidhet me punën që po bëhet për ligjin special kundër “KÇK-së” dhe bandave kriminale.
“Lidhur me ligjin special shumë shpejt ne do ta bëjmë publik dhe më lejoni të mos nxjerr ende detaje. Kjo është edhe një nga arsyet e mungesës sime të zakonshme në publik. Kemi punuar me një grup të gjerë pune, me partnerë ndërkombëtarë dhe kemi grupuar shumë eksperienca botërore dhe kam vendosmërinë të hyjmë në një luftë të pa njohur më parë kundër krimit të organizuar dhe të marrim masa kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të grupit KÇK”, -tha kreu i qeverisë shqiptare.
Gjithashtu, Kryeministri u është përgjigjur dhe njëherë liderëve kosovarë për Shengenin Ballkanik. Ai u shpreh se nëpërmjet kësaj nisme, do të krijohet mundësia që të hiqen kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Sa herë është folur për hapjen e kufijve, është vënë kuja për Shqipërinë e madhe. Unë i kam thënë Vuçiç se nëse nuk përfshihet lëvizja e lirë ne nuk përfshihemi. Kam dëgjuar nga Albin Kurti që ka thënë se Kosova është mirë të jetë në tryeza por unë nuk marr përsipër të bëj më të madhin dhe të bind njeri. Janë liderët e Kosovës që vendosin”, tha Rama.