Russia-Basha Gate. Nis në Kuvend miratimi i paketës ligjore që i mbyll rrugën

AKTUALITET


Kuvendi i Shqipërisë ka nisur të hënën diskutimin për paketën ligjore për forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Miratimi i kësaj pakete vjen në kohën kur prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe e ka thirrur për ta pyetur në lidhje me financimet ruse të fushatës zgjedhore të PD-së në 2017.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, prezantoi në seancën e plenare një paketë prej 5 projektligjesh. Kjo paketë synon përmbushjen e rekomandimeve që i janë dhënë Shqipërisë nga Moneyval, Komiteti i Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Pastrimin e Parave dhe Luftës kundër Financimit të Terrorizmit.


Diskutimi për Paketën ligjore për forcimin e luftës kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit u paralajmërua nga deputeti Balla që të dielën, ku ai komentoi edhe përfshirjen e PD në financimet ruse. Edhe të hënën në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se përfshirja e PD dhe Lulzim Bashës në skemë transaksionesh të paligjshme përmes kompanive guaskë dhe oligarkësh rusë është një skandal i rëndë, që kërkon legjislacion të fortë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi nga foltorja e Kuvendit se përmes firmës së Lulzim Bashës 1 milion dollarë kanë hyrë në SHBA.

Në përfundim të fjalës së tij Balla i kujtoi Lulzim Bashës se për fat të keq të tij, ai është subjekt i paketës ligjore të luftës kundër pastrimit të parave.

Komisioni i Ligjeve ka miratuar nen për nen këtë projektligj javën e shkuar dhe pritej që të ishin në seancë të enjten, por që rendi i ditës ndryshoi për shkak të mocionit të Partisë Socialiste për Presidentin Meta.

Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se qëllimi i këtij projektligji është parandalimi dhe goditja e veprimtarive të terroristëve, të pastrimit të parave dhe financime të dyshimta nga faktorë të jashtëm, apo të atyre, për të cilët ka dyshime të bazuara që kanë kryer, ose kanë qëllim të kryejnë veprimtari të tilla, nëpërmjet bllokimit, sekuestrimit të fondeve e pasurive të tyre, në zbatim të rezolutave përkatëse të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, akteve të organizatave të tjera ndërkombëtare apo marrëveshjeve ndërkombëtare, ku Republika e Shqipërisë është palë.




Skip to toolbar