Foto/ “Arena Kombëtare, bizhu e Tiranës”, punimet drejt fundit

AKTUALITET


Më 3 nëntor stadiumi i ri “Arena Kombëtare” do të hap dyert për tifozët në ndeshjen testuese, për të provuar gjithçka përpara inaugurimit zyrtar. Të dielën paradite, stadiumin e ri kombëtar e vizitoi kryetari i bashkisë së Tiranës, “Erion Veliaj”.  Kryebashkiaku tha se ky stadium është një bizhu për Tiranën dhe Shqipërinë. “Kombëtarja ka shëtitur në disa qytete, ka qenë diçka shumë e mirë sepse ka inkurajuar shpirtin e futbollit edhe në qytetet e tjera, ama shtëpia e vërtetë është Tirana. Por, stadiumi i ri është një bizhu; arkitektët, kolegët e federatës, kolegët ndërtues dhe konstruktorë, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Duke marrë si shembull stadiumin, Erion Veliaj është shprehur se edhe Teatri i ri Kombëtar dhe Kopshti Botanik, do të jenë bizhutë e reja të kryeqytetit. “Për ata që gjithashtu kanë dyshime për Teatrin Kombëtar apo për Kopshtin Botanik, ato do të jenë bizhutë e tjera të Tiranës. Kjo është një pikë graviteti jo vetëm për të luajtur futboll, por edhe për kulinarinë, turizmin, për hotelin fantastik, elegant. Na duhet të kapim ritmin e Tiranës për shumë projekte të tjera që na presin, duke filluar nga Teatri Kombëtar, nga Kopshti Botanik e shumë ndryshime”, deklaroi Veliaj.


Arkitekti i njohur italian, Marco Casamonti, i cili ka realizuar projektin e stadiumit, e cilësoi atë një vepër të jashtëzakonshme. “Jemi shumë të gëzuar sepse rezultati, edhe nga këndvështrimi teknologjik, është i jashtëzakonshëm, një stadium me të vërtetë avantgard, me arkitekturë që stabilizon të gjithë këtë pjesë të qytetit, një ide e re urbanizimi. Stadiumi nuk është thjesht një vend futbolli, por edhe një vend ku  qytetarët mund të vinë për pazar, për shëtitje, ka një portik të madh”, tha Casamonti.

Kryetari i komisionit të infrastrukturës në FSHF, si dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Arben Dervishi, deklaroi se po bëhen kontrollet e fundit dhe se gjithçka do të jetë gati për inaugurimin e stadiumit me ndeshjen Shqipëri-Francë më 17 nëntor. Të martën në datën 22 tetor do të dalin në shitje dhe biletat për dy ndeshjet e fundit kualifikuese të kombëtares, atë ndaj Andorrës që do të luhet në “Elbasan Arena” dhe atë ndaj Francës do të luhet në “Arena Kombëtare”.




Skip to toolbar