Stuhitë e erës janë shtuar pasditen e të dielës duke shkaktuar probleme të mëdha jo vetëm në qytetet bregdetare. Në Tiranë, era shkaktoi disa probleme duke rrëzuar deri edhe depozitat e ujit nga taracat e pallateve. Ndërkohë, në rrugë të ndryshme të Tiranës janë shkulur dhe pemë. Realstorty.al siguroi foto të disa prej dëmeve të shkaktuara nga era. Në lulishten përballë ish-ekspozitës, një pishë është shkulur për shkak të erës, duke u përkulur në krah të një pallati. Pema rrezikon të rrëzohet nga momentin në moment.
Ndërkohë, lidhur me situatën e krijuar nga stuhitë e erës, kryebashkiaku Erion Veliaj i bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes. Në një reagim, Veliaj u kërkoi qytetarëve të kufizojnë lëvizjet në zonat ku objekte apo pemë që rrezikojnë rënien. “Kujdes! Erë e fortë në Tiranë, ju lutem evitoni lëvizjet dhe qëndrimin në vendet ku ka objekte apo pemë që rrezikojnë rënien. Për çdo problem raportoni te numri i emergjencës 112. Punonjësit tanë ndodhen në terren në ndihmë të çdo qytetar”, shprehet Veliaj.
Po për shkak të erës, në zonën e Selitës ka pasur dëme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, tha OSHEE në një njoftim. Në Selitë është këputur fideri i energjisë, ndërsa probleme ka pasur edhe në zona të tjera. “Moti i keq ditën e sotme preku pjesë të rrjetit elektrik, sidomos atë ajror. Dëmet janë shkaktuar kryesisht nga era e fortë. Gjithësesi, brigadat e avarive ndodhen në gatishmëri. Në zonën e Selitës, rruga “Bill Klinton” është këputur fideri”, thotë OSHEE.