Franca mohon se do të dërgojë trupa në Ukrainë: Lajme të rreme nga Kremlini

BOTA


Franca i ka cilësuar provokime dhe lajme të rreme deklarata e fundit nga ana e Rusisë se ajo po mendon të përshkallëzojë situatën në Ukrainë, Europë dhe më gjerë, duke dërguar trupa në konflikt.

Sipas ministrit francez të mbrojtjes, deklarata e kreut të inteligjencës ruse, Sergei Naryshkin tregojnë edhe njëherë përdorimin sistematik të lajmeve të rreme nga ana e Kremlinit për të arritur qëllimet e tij.


“I cilësojmë të tilla provokime si akte papërgjegjshmëri”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Agjencia shtetërore e lajmeve Tass duke iu referuar pohimeve të drejtorit të shërbimit të inteligjencës së jashtme ruse, Sergei Naryshkin, raporton se Kremlini ka informacione se Franca po përgatit një kontingjent ushtarak prej 2000 trupash për ta dërguar në Ukrainë.

“Udhëheqja aktuale e vendit (Francë) nuk kujdeset për vdekjet e francezëve të zakonshëm apo për shqetësimet e gjeneralëve. Sipas informacioneve që vijnë në SVR ruse, një kontingjent që do të dërgohet në Ukrainë tashmë është duke u përgatitur. Fillimisht, ai do të përfshijë rreth 2000 trupa”, tha Naryshkin.

Sipas shefit të inteligjencës ruse, ushtria franceze “ka frikë se një njësi kaq e madhe ushtarake nuk mund të transferohet dhe të vendoset në Ukrainë pa u vënë re”.

“Kështu do të bëhet një objektiv legjitim prioritar për sulmet nga forcat e armatosura ruse. Kjo do të thotë se do të pësojë fatin e të gjithë francezëve që kanë ardhur ndonjëherë në botën ruse me shpatë”, theksoi ai.




Skip to toolbar