Si ndikoi takimi me Merkel në vendimin e Gjermanisë

AKTUALITET


Deputetët e koalicionit CDU/CSU votuan Rezolutën Pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian nën ankthin e dy personave: Angela Merkel dhe Edi Rama. Deputetët e grupit parlamentar CDU/CSU thanë “po” për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, por me kusht, që të zgjidhet sa më parë kriza politike në vend. Gjithçka dukej e organizuar. Pak orë më herët, hapi i parë kishte ndodhur. Monika Kryemadhi tha pas takimit me Bashën se opozita do të merrte pjesë në takimin e OSBE të mërkurën për reformën zgjedhore.

“Shqipëria është në një krizë të rëndë politike. Bundestagu gjerman u bën thirrje me ngulm të gjitha forcave demokratike në Shqipëri që të ndërmarrin menjëherë të gjitha hapat për të kapërcyer këtë krizë sa më shpejt përmes dialogut politik, përndryshe rruga për negociatat e anëtarësimit do të vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme”, – thuhet ndër të tjera në vendimin e koalicionit qeverisës të Gjermanisë, që udhëhiqet nga Kancelarja Angela Merkel.

Lulzim Basha këtë e quajti një kusht. Por pas votimit të Rezolutës nga CDU/CSU, Kryeministri Edi Rama, falënderoi Kancelaren Merkel: “Faleminderit të gjithë deputetëve të CDU/CSU që më në fund votuan Pro hapjes së negociatave. Ata që votuan kundër do t`i bindim në çdo hap me fakte se Shqipëria e meriton hapjen negociatave. Faleminderit Angela për mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë”, shprehet Kryeministri Edi Rama.

Pak ditë më parë, u publikuan dhe 9 kushtet e Gjermanisë për hapjen e negociatave me Shqipërinë, ku përfshihej dënimi i personave që janë përfshirë në blerjen e votës, ngritja e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të gjykojë dhe ligjshmërinë ose jo të zgjedhjeve të 30 qershorit, ngritja e SPAK, Gjykatës së Lartë, Reforma Zgjedhore, dënimi i zyrtarëve dhe politikanëve të lartë dhe lufta kundër krimit të organizuar.

Nëntë kushtet u publikuan pak ditë pas një takimi thuajse fare larg vëmendjes së zakonshme që stafi i Ramës i kushton takimeve të tij me Angela Merkel. Arsyeja ishte e thjeshtë: nëntë kushtet u negociuan pikërisht në tavolinën e ngushtë të dy kryeministrave.

Kushtet nuk ishin të lehta, bile kërkesa për arrestim të atyre që kishin futur duart në kutitë e votimit ishte e rëndë, sa kohë dy emra ish funksionarësh publikë socialistë janë në duart e prokurorëve. Vangjush Dako pak ditë pasi u bë ish kryetar i bashkisë Durrës u shpall non grata nga Departamenti i Shtetit dhe javën e shkuar, Damian Gjiknuri ofroi dorëheqjen nga kreu i Komisionit të Reformës Zgjedhore, nëse Opozita e njihte komisionin dhe merrte pjesë në të. Të dy emrat janë në dosjen 184 dhe 339, ku tashmë po hetohet edhe krimi i vjedhjes se votave.

Por kjo nuk ndaloi Edi Ramën që të negocionte me Merkel, gjënë më të rëndësishme të 9 pikave: ato nuk janë kushte për hapjen e negociatave. Ato janë kushte PAS hapjes së tyre. Burime qeveritare pohuan për Realstory.al pak ditë më parë, se kushtet e vendosura nga Gjermania, nuk ishin për hapjen e negociatave, por për kapitujt që pasojnë.

E thënë më thjeshtë: pas hapjes së negociatave në një datë diku mes janarit dhe shkurtit të ardhshëm siç do të votohet në 18 tetor, mbledhja e parë ndërministeriale mes Komisionit dhe Qeverisë Rama, do të fillojë të parashtrojë agjendën. Ajo do të përcaktohet nga nëntë kushtet, me të cilat thuhet se tashmë janë dakort edhe Franca me Holandën. Por lajmi i mirë sipas burimit është se “në këtë moment procesi bëhet nga politik, në thjesht teknik. Nëntë kushtet janë mes Tiranës dhe Brukselit dhe jo 28 kryeqyteteve europiane”.

Dhe për të gjithë ata që deshën “vdekjen” europiane të Edi Ramës, ky do të jetë një moment zie.

Të enjten në 26 shtator, Bundestagu gjerman do të votojë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. CDU dhe CSU që e kontrollojnë atë, hodhën hapin e parë drejt një hapi historik të Shqipërisë drejt integrimit europian. Dhe drejt një fitoreje private politike të Kryeministrit. /Realstory.al./



Skip to toolbar