Gjermania rrëzon Bashën për Zgjedhoren: Nuk e monitorojmë

POLITIKË


“Kushtet e Bundestagut gjerman janë të rëndësishme për hartimin e reformës zgjedhore në Shqipëria, por ndërkombëtarët nuk mund ta mbikëqyrin këtë proces, edhe pse janë të gatshëm të japin ndihmën e tyre”. Porosia për klasën politike vjen nga ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Petert Zingraf, i cili duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, nga Lezha i ka mbyllur një tjetër derë propozimit të Bashës për reformën zgjedhore.

I pyetur nëse Gjermania synon të ulë në një tryezë klasën politike shqiptare për reformën zgjedhore, ambasadori thotë se ndërkombëtarët nuk mund ta mbikëqyrin këtë proces, por se janë të gatshëm të japin ndihmën e tyre. Ai thotë se klasa politike duhet të gjejë konsensus, duke nënvizuar se ka disa elementë që janë të rëndësishëm për Gjermaninë siç i ka miratuar Bundestagu gjerman në dokumentin e pak ditëve më parë ku midis të tjerash kërkohet dënimi i atyre që janë përfshirë në krime zgjedhore.


 “Sigurisht që besimi i zgjedhësve në një proces zgjedhor të ndershëm është mjaft i rëndësishëm, ndaj edhe reforma zgjedhore dhe konsensusi që duhet arritur në vend për këtë reformë është po kaq të rëndësishme. Si do të bëhet kjo, mbetet ta vendosin institucionet shqiptare. Ka disa elementë që janë të rëndësishëm për ne, janë kushtet e Bundestagut gjerman që ju përmendët por që nuk janë ende kushte të Bashkimit Evropian, sepse lidhur me to në fund të fundit do të vendosë Brukseli. Faktori kohë është gjithashtu mjaft i rëndësishëm. Nëse duam të zhvillojmë një proces zgjedhor të arsyeshëm, atëherë duhet të kemi një bazë ligjore të përshtatshme. Unë mendoj se kjo është një detyrë e institucioneve shqiptare dhe e partive politike shqiptare sepse në pikëpamjen time ne nuk mund të mbikëqyrim këtë proces. Sigurisht, ne mund të bëjmë thirrje në mënyrë të vazhdueshme sikurse mund të japim mbështetjen tonë teknike për formësimin e reformës zgjedhore. Madje, kemi paraqitur propozimet tona nga ekspertët gjermanë në formën e projektligjeve përkatëse. Pra, sikurse e thashë mbështetje dhe asistencë teknike me shumë kënaqësi, por sa i përket mbikëqyrjes dhe monitorimit ndërkombëtar nuk është detyra jonë”, theksoi ai. Me këtë mesazh, Gjermani rrëzon propozimin e Bashës, i cili kërkoi një strutkurë të posaçme ndërkombëtare për mbikëqyrjen e reformës zgjedhore, duke përjashtuar nga ky skenar opozitën parlamentare.

Nga Lezha, Zingraf u pyet edhe për hapjen e negociatave dhe nëse Shqipëria rrezikon të ndahet nga Maqedonia e Veriut, duke nënvizuar se Gjermania është angazhuar të bindë edhe vendet skeptike. “Sikurse e dini, qeveria federale, Bundestagu gjerman kanë thënë “Po” për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe sigurisht ne kemi pasur bisedime në mënyrë të vazhdueshme lidhur me faktorët brenda Unionit që të mbërrihet në një vendim të tillë edhe me ato vende skeptike. Jo të gjithë vendet janë për “Po”. Edhe brenda Bundestagut gjerman ka pasur grupime të vogla që kanë qenë kundër hapjes së negociatave, por në fund patëm një shumicë, e cila e tha “Po”-në e saj. Në këtë mënyrë, shpresojmë të arrihet tek një “Po” edhe nga vendet e tjera”, shtoi ai.




Skip to toolbar