Mbrojtësi Berat Gjimshiti është duke bërë një sezon të mirë te Atalanta në Serie A. Futbollisti është, gjithashtu, një nga pikat kyçe të mbrojtjes së kombëtares. Në konferencën për shtyp të martën, Gjimshiti u shpreh se në dy ndeshjet radhës, duhet të shmangen gabimet individuale.
“I kemi dy ndeshje shumë të vështira, sidomos kundër Turqisë, por besoj se kemi shanse të vërteta. Në ndeshjen e kaluar kemi bërë gabime individuale. Do ta shikojmë si një shans të ri dhe do të japim maksimumin”, tha mbrojtësi. Mungesa e Hysajt është një problem më vete në kombëtare, por mbrojtësi i Atalantës, shprehet se këto dy ndeshje, lojtarët do të luajnë dhe për Elsin.
“Më vjen keq për Hysajn që u lëndua para Kombëtares, pasi ishte dhe kapiten kur nuk ishte Mërgimi. Besoj do na mungojë, por do luajmë edhe për Elsin. Kam më shumë se 5 vite që jam këtu dhe kam kaluar eksperienca të mira dhe të këqija. Do të marr përgjegjësi më të mëdha dhe do vazhdojmë të shikojmë përpara. U pa dhe në ndeshjen e fundit me Islandës që u ndryshua diçka, pasi luajmë më të sigurt”, tha Gjimshiti.
Në fund, mbrojtësi kuqezi tregon se me sistemin e trajnerit Reja, skuadra luan më mirë. “Ka pasur shumë ndryshime në skuadër dhe jemi mirë me sistemin e ri që luan trajneri Reja. Mund të kemi një shans të vërtetë. Mund të them që është një moment shumë i bukur. Gjërat që i kemi arritur me Atalantën, dua t’i bëj edhe me Kombëtaren. Vetëbesimin që e kam te Atalanta dua ta transmetoj edhe këtu në ekipin Kombëtar”, përfundoi Berat Gjimshiti.