Ftesa e Rejës befason Seferin: Duam 6 pikë

AKTUALITET


Taulant Seferi është grumbulluar për herë të parë me ekipin kombëtar A. Ftesa e sulmuesit të Xamax në Zvicër ishte e pritur, pas paraqitjeve të mira të kumanovarit në Superligën helvete. Por ai vetë është befasuar nga pritja që i është bërë në ekip. Të martën, sulmuesi foli në konferencë  për mediat nga ambienti ku është grumbulluar ekipi kuqezi.

“Unë e kam ndjekur gjithmonë Kombëtaren dhe jam shumë i befasuar dhe i kënaqur nga pritja. Po shikoj një pozitivitet, shpresoj që këtë atmosferë ta përcjellim edhe në ndeshjet e ardhme. Kam pritur ftesën të isha në Kombëtare, pasi mendoj që jam mirë dhe shpresoj të bëj më të mirën për fanellën kuqezi”, shprehet sulmuesi 23-vjeçar.


Më tej, ai tregon se për aktivizimin vendos trajneri, ndërsa thotë se ndihet në formë të mirë fizike. “E rëndësishmja është se po ndihem mirë, për minutat vendos trajneri. Unë do jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje. Këto 2 ndeshjet e fundit me klubin nuk kam luajtur nga fillimi se kisha një dëmtim të vogël. Tani besoj se ndihem shumë mirë”, shprehet sulmuesi.

Në fund, Taulant Seferi vendos dhe një  objektiv, fitoren në dy ndeshjet e radhës, ndaj Turqisë dhe Moldavisë. “Trajneri ka marrë në Kombëtare ata që janë në formë më të mirë. Duhet të fokusohemi vetëm te fitorja në 2 ndeshjet e radhës. Jemi një grup shumë i mirë i lojtarëve. Unë do jap maksimumin dhe jam gati të luajë në çdo pozicion që trajneri do dëshirojë”, përfundoi sulmuesi.




Skip to toolbar