Gjykata i kërkon Kurtit të dëshmojë në Prokurorinë Speciale

KOSOVA


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ngul këmbë që është i gatshëm të dëshmojë por nuk do që të merret në pyetje në cilësinë e dëshmitarit në zyrat e Prokurorisë, por në zyrën e tij në objektin e qeverisë.

Në dhjetor të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosoves e ftoi Kurtin dy herë që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore. Zyra e kryeministrit të Kosovës njoftoi të premten pasdite, se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që ta detyrojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kryeministrit brenda zyrës së tij në qeveri. Por Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi ditë më parë se kishte lëshuar një urdhër me kërkesë të Prokurorisë Speciale, që e detyron kryeministrin Albin Kurti të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me 4 mars në orën 10:00, në Prokurori.

Dakord, por në mjediset e Zyrës së Kryeministrit

Zyra e kryeministrit Kurti, bëri të ditur se Gjykata përmes emalit ka marrë përgjigjen e Kryeministrit, ku thuhet se zoti Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij, por “kërkesa e tij është që kjo të ndodhë në mjediset e Zyrës së Kryeministrit”, duke theksuar se kjo nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. “Me respekt kërkojmë nga gjykata që ta detyrojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar brenda Zyrës së Kryeministrit”.

Kosovë | Ndërtesa e parlamentit
Kurti thotë që nuk do të merret në pyetje në prokurori se “ka dyshime të forta që thirrja nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik”Fotografi: Bekim Shehu/DW

Prokuroria Speciale e thirri kryeministrin Albin Kurti që të dëshmojë në një rast që lidhet me një vepër penale të paraparë me nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës, por pa dhënë ndonjë hollësi rreth rastit, por me nenin në fjalë sanksionohen veprat që kanë të bëjnë me “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kurti: Jo motiv ligjor, por politik

Refuzimin që kryeministri Kurti të japë dëshmi në zyrat e Prokurorisë e arsyeton  për faktin që si thuhet në reagimin e Kurtit, ai “ka dyshime të forta që thirrja nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik”, për shkak të siç thuhet, “dështimit për vite me radhë në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të trajtimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit”.

Për më shumë thuhet në reagim, “një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit”. Kurti thotë se ka “ka raste të dokumentuara në Kosovë por edhe më gjerë, ku zyrtarë të lartë institucionalë janë intervistuar në mjediset e tyre dhe jo në Prokurori”.

Sfondi i marrjes në pyetje

Në gusht të vitit 2023, policia arrestoi tre vetë, dy nga të cilët punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në një proces hetimi të Prokurorisë që ka të bëjë me rezervat shtetërore ku përfshihen Mielli, ilaçet, vaji, sheqeri, prodhimet higjienike, nafta etj, që shteti duhet t’i sigurojë për  përdorim në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Në ministrinë e Tregtisë u kryen bastisje pas publikimit të një audio-incizimi nga një medie lokale  “Nacionale”, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.

Pas refuzimit që kryeministri Kurti po bën që të shkojë për të dhënë dëshmi në zyrat e prokurorisë, në Kodin e Procedurës Penale thuhet se gjykata me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet për T’u marrv në pyetje. Nëse pas urdhrit gjyqësor i ftuari nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim të serishëm edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.



Skip to toolbar